Perëndimi Amerikan po përjeton thatësirën e tij më të keqe që nga viti 800 pas Krishtit rreth kohës kur sundoi Karli i Madh, sipas një studimi të publikuar rishtazi. Thatësira e vazhdueshme ka bërë që liqenet, rezervuarët dhe lumenjtë në Kaliforni të bien në nivele rekord, duke përkeqësuar zjarret, sipas shkencëtarëve. Thatësira aktuale është periudha më e keqe e thatë 22-vjeçare në 1200 vitet e fundit që daton që nga vikingët dhe majat raporton “BBC”.
Thatësira e fundit shumë dekadashe ndodhi në vitet 1500, por nuk ishte aq e rëndë. Studimi i ri i botuar në revistën “Nature Climate Change” u mbështet në të dhënat nga unazat në pemë dhe trarët e drurit të ruajtur në vendet arkeologjike vendase të Amerikës. Imazhet e liqeneve të tkurrura, peizazhi i prekur nga zjarret i ndjekur nga bora dhe komunitetet pa ujë zbuluan efektet e thatësirës historike.
Gjysma perëndimore e Shteteve të Bashkuara ka përjetuar thatësirë për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit, sipas të dhënave nga US Dought Monitor. Vitin e kaluar, monitoruesit e ujit deklaruan një mungesë uji në lumin Kolorado, një nga burimet më të mëdha të jetës për perëndimin e SHBA-së, duke shkaktuar shkurtime për rreth 40 milionë amerikanë.
“Ne kemi një shoqëri që mbështetet në sasinë e ujit që kishte në vitet 1900,” tha autori kryesor i studimit, profesori Park Williams, për “Radion Publike Kombëtare”. “Por tani me rënien e numrit të molekulave të ujit në dispozicion, është koha që ne të kuptojmë se sa ujë ka për të përdorur”. Jo të gjitha thatësirat janë për shkak të ndryshimeve klimatike, por nxehtësia e tepërt në atmosferë po nxjerr më shumë lagështi nga toka dhe po i përkeqëson thatësirat.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve. / abcnews.al