Ethet diplomatike janë ndezur orët e fundit, teksa ministrat e jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë po flasin për zbutjen e krizës në kufirin ruso-ukrainas.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, Anthony Blinken dhe Sergei Lavrov patën një bisedë të re telefonike.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, Lavrov bëri thirrje për dialog në të cilin të gjitha çështjet e ngritura nga Rusia, duke kërkuar garanci për sigurinë, do të hidheshin në tryezë.
Ai i tha Blinken se retorika agresive e Uashingtonit ishte e papranueshme, por se “dialogu është i nevojshëm”.
Megjithatë, NATO vazhdon të akuzojë Kremlinin për lëvizje destabilizuese, duke bërë thirrje për hapa që tregojnë deeskalim, ndërsa Moska nga ana e saj flet për terrorizëm të inteligjencës perëndimore, duke komentuar një pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë ende prova të tërheqjes së trupave ruse nga kufiri me Ukrainën, por një veprim i tillë do të ishte i mirëpritur, tha ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara.
“Do të ishte një lajm i mirëpritur, nëse është i vlefshëm. Ne nuk kemi parë ende asnjë provë ,” tha Linda Thomas-Greenfield në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja e saj. /abcnews.al