Rama: Nuk ka kaos, revoltë e establishmentit të vjetër

schedule21:33 - 28 Shkurt, 2019

schedule 21:33 - 28 Shkurt, 2019

Luftë për pushtetin e humbur dhe jo për kauza të vërteta. Kështu i cilësoi kryeministri Rama protestat e opozitës në Shqipëri, gjatë një interviste për televizionin italian RAI 2.

Kryeministri Rama u tregon italianëve dhe më gjerë se ajo që po ndodh me nismën e opozitës në Shqipëri nuk është revolucion, por shqetësim i forcave që kanë humbur pushtetin. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në televizionin italian RAI 2, shefi i qeverisë shqiptare u pyet për zhvillimet më të fundit në vendin tonë.

“Dua t’u them gjithë italianëve, nuk ka asnjë revolucion, nuk ka asnjë kauzë, asnjë rrezik për askënd. Është një revoltë e establishmentit të vjetër dhe lobit që ka humbur, lojërat e drogave, bixhozit që kanë humbur dhe lobeve të tjera që qëndrojnë pas këtyre manifestimeve”.

Në të njëjtin edicion u transmetua edhe një intervistë me kundërshtarin politik, ish-kryeministri Berisha. Ai shpreh bindjen se protestat popullore do të rrëzojnë këtë qeveri.

“Situata politike në këtë vend është në një rrezik të madh shpërthimi sepse ajo çka ju shikoni në rrugë kundër shtetit të vetëm të narkoshtetit që është narkoshteti shqiptar e ndërtuar me një politikë që ka favorizuar që nga fillimi, të zëvendësojë plantacionet normale me ato të kanabisit”, tha Berisha.

“Ka një krizë politike artificiale të krijuar dhe të dashur nga një opozitë që duhet të përballet me zgjdhjet vendore të Qershorit, që është tepër mbrapa sipas sondazheve, që ka humbur para 1 viti e gjysmë në zgjedhje që i ka pranuar edhe vetë”, tha Rama.

I pyetur nga moderatorja në studio, për shqetësimin e opozitës mbi nivelin e lartë të korrupsionit, Rama i përgjigjet.

“Nëse do thosha që korrupsioni nuk ekziston në Shqipëri do ju thosha një gjë të pavërtetë, por ju them që korrupsioni është duke u luftuar si asnjëherë më parë. Kjo thuhet edhe në raportet e Komisionit Europian të vitit të shkuar, ku për herë të parë u rekomandua hapja e negociatave pa kushte”, tha Rama.

Për të analizuar situatën në Shqipërinë fqinje, në studion e RAI-t ndodheshin në panel ish-kryeministri Masimo D’Alema si dhe gazetari e shkrimtari Aleberto Negri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!