Skënderbeu nuk po arrin dot të dalë nga zona e ftohtë e renditjes, teksa herë u mposht në shtëpinë e tij nga Partizani me rezultatin 2-1.
Një humbje kjo që bëhet e 4-ta rresht në kampionat, që në fund të sezonit do të ndikojnë në llogaritë e mbijetesës.
Pas ndeshjes trajneri Migen Memelli ishte shumë i zhgënjyer për humbjen, ndërsa nuk kurseu edhe kritikat për arbitrin për disa vendime të këtij të fundit.
“Ishim përgatitur mirë edhe pse ishte një ndeshje episodesh, por përballë Partizanit nuk e mbyllëm me sukses. Ka disa momente në lojë që duhet të tregohemi të kujdesshëm, eksperienca ka të bëjë sepse duhej të largonim topin nga erdhi më pas një këndore. Në futboll duhet të jesh zemërgjerë dhe Berisha duhej të pasonte te Mensah, por kusuret i merr trajneri dhe lojtarët dalin të larë. Dy episode dhe dy raste vendosin, nuk ka nevojë për taktikë duhet mendje e kthjellët dhe zemër e madhe që ti shërbesh shokut. Nuk ndodhi, duhej ta evitonim atë rast dhe fundi ishte i hidhur”.
Vetëm një zëvendësim- “Janë katër lojtarë të dëmtuar dhe ata në stol nuk kanë eksperiencën e duhur. Nëse rikthehen të dëmtuarit, do të jetë më e lehtë. Kjo humbje rëndon tek unë i pari, por me shpresë besoj që mund të bëjmë edhe më mirë. Si mundet që arbitra me eksperiencë të mos japin faull, kur lojtari i Partizanit shkon në kontakt me portierin. Partizani luajti me 14 vetë, ndërsa ne me 11”.
Pretendimi për faull ndaj portierit Rexhepi- “VAR mund të ndërhynte dhe të shikohej me kujdes, pse duhet të ankohem çdo javë dhe të bëhem palaço. Nuk po kërkoj asgjë të madhe, të ndërhyjë VAR. Nëse jepej faulli, nuk vinte goli i Partizanit”.
“Në sulm ka shënuar Mensah dhe ne duhet t’i kthejmë besimin lojtarëve. Në pjesën e dytë gabuam si duhet të bënim gjërat në fushë, Partizani ndryshoi sistem dhe duhej ta kapnim më shpejt. Duhet ta rikuperojmë në vazhdim, nuk dua të sulmoj asnjë. Dua vetëm të vë në dukje disa gabime që bëhen kundër nesh”, u shpreh Memelli. /f.a/abcnews.al