Izraeli fajtor për krime lufte, Raporti i OKB: Ka vrarë 190 civilë palestinezë

schedule23:30 - 28 Shkurt, 2019

schedule 23:30 - 28 Shkurt, 2019

Një komision hetimor i OKB-së ka fajësuar Izraelin për krime lufte ndaj 190 civilëve palestinezë në Gaza. Sipas komisionit, trupat izraelite kanë vrarë me qëllim fëmijë e të rritur të çarmatosur. Vetë shteti hebre e ka hedhur poshtë raportin duke e cilësuar një “teatër absurditetesh”.

Ushtarët izraelitë mund të kenë kryer krime lufte kur kanë reaguar ndaj protestuesve palestinezë në kufirin me Gazën vitin e kaluar. Kështu thotë një komision hetimor i përbërë nga ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut, që ka hetuar vrasjen e 189 palestinezëve në periudhën 30 mars-31 dhjetor 2018.

Komisioni ka deklaruar se ka konstatuar të dhëna të arsyeshme që sugjerojnë se snajperët izraelitë kanë qëlluar fëmijë, mjekë dhe gazetarë, edhe pse ata ishin qartësisht të dallueshëm në mes të turmës.

Duke reaguar ministri i Jashtëm në detyrë i Izraelit ka hedhur poshtë konstatimet e komisionit. “Këshilli për të drejtat e njeriut është një teatër i absurditeteve dhe sërish ka prodhuar një raport që është armiqësor, i rremë dhe që hedh baltë ndaj Izraelit”, ka deklaruar ministri Jizrael Katz.

Ai ka shtuar se askush nuk mund t’i mohojë Izraelit të drejtën për t’u vetëmbrojtur dhe detyrimin për të mbrojtur qytetarët dhe kufijtë e tij nga sulmet e dhunshme. Palestinezët kanë mbajtur protesta përgjatë kufirit të Gazës që prej marsit të kaluar, në kuadër të fushatës së koduar “Marshi i madh i rikthimit”, në mbështetje të së drejtës së deklaruar të palestinezëve për t’u rikthyer në shtëpitë e hershme që tashmë konsiderohen territor i Izraelit. Fushata është organizuar nga militantët e lëvizjes Hamas, që kontrollon Gazën dhe që konsiderohet si grup terrorist nga Izraeli. /abcnews.al