Arben Laze nderohet nga FSHF, një sallë në “Elbasan Arena” do mbajë emrin e tij

schedule15:20 - 12 Shkurt, 2022

schedule 15:20 - 12 Shkurt, 2022

Një nga figurat e shquara të futbollit shqiptarë që u nda nga jeta një muaj më parë është nderuar sot nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.

FSHF kishte organizuar një ceremoni në nder të Arben Lazes, ku është vendosur se një nga tribunat e stadiumit “Elbasan Arena” do të mbajë emrin e tij.

Në këtë ceremoni që u zhvillua në ambientet e “Elbasan Arena” morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu, anëtarë të Komitetit ekzekutiv të FSHF, Bardhyl Jera, Abdyl Kuriu, Vasil Bicaj si edhe personalitete të shumtë të futbollit elbasanas dhe shqiptar. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe familjarë të presidentit të ndjerë të Elbasanit.

Në fillim e mori fjalën Presidenti Duka, i cili vlerësoi kontributin e Arben Lazes për futbollin elbasanas ndër vite dhe sakrificat që ai ka bërë për klubin e këtij qyteti.

“Në fakt, nuk do të doja kurrë të isha sot para jush për të kujtuar mikun tonë, shokun tonë dhe presidentin e Elbasanit. Do të doja të isha për ndonjë festë për Benin, për Elbasanin, për familjen e tij, por fatkeqësisht jeta të sjell edhe këto momente dhe jam i detyruar që të jemi në këtë ceremoni përkujtimore. Beni është njeriu me më shumë kontribute në vitet e fundit në futbollin e Elbasanit, për drejtimin që i ka bërë klubit, për sakrificat që ka bërë për këtë klub dhe për sukseset që ka arritur Elbasani nën drejtimin e tij. Të gjithë ne që jemi në sallë këtu, por jo vetëm, do ta kujtojmë Benin si një njeri shumë i mirë, si një njeri me zemër të madhe, si një njeri bujar dhe që ka sakrifikuar më shumë se sa duhet për futbollin në përgjithësi, për futbollistët. Por jo vetëm për to, por edhe për shokët, për miqtë e tij. Ajo çfarë ka bërë Beni në jetën e tij për futbollin kryesisht, duhet të bëjë krenar familjen, duhet të bëjë krenar djalin Xhaninin dhe ne që e kemi shok dhe mik e do ta kujtojmë sa të jemi gjallë. Do ta kujtojë historia e futbollit shqiptar”, – tha Presidenti Duka duke shtuar se në shenjë mirënjohjeje për aktivitetin e tij salla e zonë miks do të mbajë emrin Arben Laze.

Gjithashtu, FSHF i akordoi Arben Lazes titullin “Pllakatë” për kontributin e tij të vazhdueshëm si president i ekipit të Elbasanit për një periudhë të gjatë kohe, duke qenë protagonist në disa suksese të rëndësishme të saj dhe në futbollin shqiptar, duke kontribuar si anëtar i vjetër i Asamblesë së FSHF-së. Titulli iu dorëzua djalit të Arben Lazes, Xhaninit, i cili në fund të ceremonisë së bashku edhe me Presidenti Duka zbuluan pllakatën me emrin e Arben Lazes në sallën e stadiumit “Ebasan Arena”. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!