Në Ontario është shpallur gjendje e jashtëzakonshme pas protestave të shoferëve të kamionëve, që kanë paralizuar kryeqytetin, Otavën. Protestuesit kanë bllokuar rrugën kryesore tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri i provincës kanadeze Ontario, Doug Ford, u zotua se do të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund protestave.
Shoferët e kamionëve po kërkojnë që të hiqen të gjitha kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë COVID-19.
Gjatë një konference për media, Ford tha më 11 shkurt se ka vënë në fuqi në mënyrë urgjente ligje që synojnë të ndalin ndërprerjen e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave. Në propozimin e ekzekutivit janë përfshirë edhe gjoba deri në 100,000 dollarë kanadezë (80,000 dollarë amerikanë) dhe deri në një vit burgim për ata që e bllokojnë qarkullimin.
Ford e pranoi se kanadezët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore kur nuk pajtohen me Qeverinë, por tha se “kjo më nuk është një protestë”.
Shoferët e kamionëve e kanë marrë “peng” qytetin e Otavës – ku jetojnë një milion banorë – dhe “kanë shënjestruar rrugët tona për transportin e ushqimit, karburanteve dhe mallrave përgjatë kufijve tanë”, teksa “kanë tentuar që ta shtyjnë agjendën e tyre politike përmes pengimit, frikësimit dhe kaosit”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë së Kanadasë, ndërkaq ka thënë se nuk do të ketë ndryshime në masat e reja për COVID-19 sa i përket masave në kufij.
Qendra e Otavës është e bllokuar nga shoferët e kamionëve që dy javë, ndërkaq një urë që lidh Ontarion me qytetin amerikan, Detroid është mbyllur që pesë ditë për shkak të protestave. Ura, që quhet Ura Ambasador, është pikë kyçe që lidh SHBA-në dhe Kanadanë, përmes së cilës kalojnë një e katërta e të gjitha mallrave ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau është nën presion të madh për ta vënë situatën nën kontroll, teksa SHBA-ja i ka bërë thirrje Kanadasë që të përdorë fuqitë federale për t’i dhënë fund bllokadave.
Protestat nisën në Otavë, teksa protestuesit kundërshtuan paraqitjen e dëshmisë së vaksinimit kundër koronavirusit për shoferët e kamionëve që kalojnë kufirin, në të kundërtën ata duhet të izolohen. /Rel