“Beteja me Metën dhe goditja pas fitores”, Hoxha: Dosja e Tahirit ku thërret qameti, u kap në befasi në gjyq

schedule20:02 - 7 Shkurt, 2022

schedule 20:02 - 7 Shkurt, 2022

Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me 3.4 vite burg, sipas gazetarit Artan Hoxha është vendimi më i rëndë i dhënë ndaj një pushtetari.

“Ky vendim, deri tani është dënimi më i rëndë të një pushtetari. Lefter Koka është ende në hetim ky është vendim i formës së prerë.  Duke njohur dosjen, sulmet ndaj Tahirit, unë e kam parë dosjen, ajo është ku thërret qameti. Dosja është e njëjta. E njëjta akuzë nuk ka asgjë të re. Ajo që kërkojmë ne, ne kërkonim një dënim që të ndëshkonte atë që ndodhi, ndërkohë kemi dënim që përjashton atë që ndodhi por kemi një dënim për një trofe të reformës në drejtësi, sepse është zyrtari i parë i dënuar nga organet e reja të drejtësisë”.

I ftuar në “Radarin Informativ” në Abc, Hoxha tha se Tahiri u godit pasi ndihmoi Ramën të merrte mandatin e dytë, ndërsa ka përmendur edhe betejën e tij kundër Ilir Metës dhe ministrave të qeverisë.

Tahiri është ministri më jetëgjatë i Brendshëm i post komunizmit. Ai ishte njeriu më i pushtetshëm pas Ramës. Bëri betejë me Metën me një pjesë të ministrave të tjerë të cilat i ankoheshin kryeministrit. Edhe kur dha dorëheqjen ai drejtoi fushatën në Tiranë dhe PS fitoi për herë të parë me 18 deputetë. Ai e ndihmoi Ramën të marrë mandatin e dytë dhe sapo mori mandatin e 2 ai u godit.

Tahiri bëri të mundur që qeveria të qëndronte në këmbë, qeveria nuk ra dhe kryeministri është edhe sot. Tahiri në atë kohë u akuzua për historinë e përgjimeve. Duke pasur parasysh informacionet që ka kaluar Tahiri… Tahiri ishte ministri më i lidhur me partinë me bazën se të gjithë ministrat e tjerë. Pasi e çmontuan, e dënuan, i hoqën mbrojtjen”.

Arrestimi i tij në sallën e gjyqit sipas Hoxhës ishte një befasi, pasi ish-ministri nuk e priste.

“Tahiri ka besuar deri në momentin e fundit që nuk do dënohej, prandaj ka qenë në seancë i qetë, kla menduar çdo gjë përveçse ta arrestonin në gjykatë. Ky është rasti i parë. Që cirku të ishte i plotë Tahirin e arrestuan aty para të gjithë kamerave. Unë doja të dënohej për atë që ka ndodhur në 2016 jo për shpërdorim detyre”.

Pas seancash maratonë, Apeli i GJKKO e dënoi ish ministrin Tahiri të premten me 5 vite burgim që me gjykim të shkurtuar dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj heqje lirie. Ai u shpall fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndryshe nga prokuroria qe kërkoi dënimin me 12 vite burg për trafik droge e grup të strukturuar kriminal. Sipas gjykatës, Tahiri ka ndihmuar grupin e Habilajve në trafikun e drogës gjatë kohës që ka mbajtur postin e ministrit nga viti 2013-2017-të. Ish-ministri prej tre ditësh po mbahet i izoluar në burgun 313-të në Jordan Misja.  Paraditen e së hënës Tahiri ka zhvilluar takime në ambientet e paraburgimit me familjarët dhe dy avokatët e tij mbrojtës, Maks Haxhiaj dhe Dritan Jahaj. Në një intervistë për ABC live, Jahaj tregoi se Tahiri ishte i qetë, ndërsa në ditët në vijim do ti drejtohen me rekurs gjykatës së lartë për vendimin e apelit. Ish-ministri qëndron I izoluar në katin e dytë të godinës numër dy të këtij institucioni dhe qëndron në një dhomë i vetëm i pajisur me frigorifer dhe televizor. Burime nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se, në ditët në vijim pritet transferimi i tij në burgun e Rrogozhinës, kjo për shkak se burgu i Vaqarit është në rikonstruksion. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!