Harta e re gjyqësore, Këshilli Bashkiak i Korçës rezolutë Ramës dhe Manjës: Jo efektive

schedule15:52 - 3 Shkurt, 2022

schedule 15:52 - 3 Shkurt, 2022

Këshilli Bashkiak i Korçës kundërshton hartën e re gjyqësore dhe teksa ka renditur arsyet, i është drejtuar me një rezolutë kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të ri të Drejtësisë Ulsi Manja përmes të cilës kërkojnë që ta rishikojnë.

Harta e re gjyqësore, sipas Këshillit Bashkiak Korçë, ul aksesin e qytetarëve për të marrë shërbimin, si dhe rrit kostot për ta dhe për institucionet publike. Në rezolutë theksohet se ngritja e vetëm një Apeli Administrativ në Tiranë rezultoi jo efektive, prandaj kërkojnë që rishikohet harta dhe të lihen Gjykatat e Apelit që janë aktualisht në Korçë.

Rezoluta e plotë

Këshilli i Bashkisë Korçë si organi përfaqësues i interesave dhe mbrojtjes të të drejtave të bashkësisë, pasi është vënë në dijeni, si dhe pas konsultimit me grupet e interesit me institucione të interesuara, në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Ligjin 139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, i ndryshuar neni 53 pika k) për mbrojtjen e garantimin e interesit publik dhe në përputhje me Regulloren e Funksionimit të Këshillit të Bashkisë, vendos t’ju drejtojë nëpërmjet kësaj Rezolute, arsyetimin dhe qëndrimin në lidhje me cënimin e interesave që draft harta e re gjyqësore prek qytetarët, institucionet dhe grupet e interesit brenda juridiksionit territorial të Bashkisë Korçë dhe më gjerë, në nivel rajonal.

Parashtrim i situatës: Draft-harta e Re Gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, konsiston në reduktimin e numrit të gjykatave në shkallë vendi dhe midis të tjerave edhe krijimin e një  Gjykate të vetme Apeli të juridiksionit të përgjithshëm, me seli në Tiranë, si dhe mbylljen e gjykatave administrative të shkallëve të para, në Rrethet Gjyqësore ku janë atashuar, duke u krijuar vetëm dy gjykata administrative të shkallës së parë, me seli në Tiranë dhe në Lushnjë. Institucionet që preken direkt nga draft – harta e re gjyqësore përveç Gjykatës të Apelit Korçë dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, janë dhe institucionet e tjera si Prokuroria në Gjykatën e Apelit Korçë dhe Avokatura e Shtetit pranë Gjykatës së Apelit Korçë.

Bashkia Korçë është Bashkia më e madhe e Qarkut Korçë dhe njëkohësisht edhe qëndër qarku. Ajo ka një popullsi prej rreth 130 000 banorë, ndërkohë që i gjithë qarku ka rreth 350 000 banorë. Në këtë territor operojnë më shumë se 40 Drejtori dhe Institucioine shtetërore rajonale, nga të cilat 5 janë Drejtori të Rajoneve të mëdha dhe i shtrijnë funksionet e tyre edhe në Qarkun e Elbasanit dhe Beratit duke shërbyer si qendër administrative qyteti i Korçës. Veçojmë këtu edhe funksionimin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Drenovë si një institucion i vuajtjes së dënimit i sigurisë së lartë. Të gjitha institucionet së bashku kanë një numër të konsiderueshëm çështjesh gjyqësore që gjykohen në Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë por dhe në Gjykatën e Apelit.

Nga të dhënat që janë publike rezulton se pranë Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Korçë aktualisht janë duke u gjykuar 484 çështje. Në vitin 2021 vetëm Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria Rajonale Korçë kishte rreth 360 çështje në Gjykatat që sipas draft – hartës së re gjyqësore nuk do të operojnë më në qytetin e Korçës.

Distanca Korçë-Tiranë, në zbatim të sinjalistikës rrugore përshkohet në një kohë udhëtimi prej rreth 3 orësh, kohë kjo e përcaktuar në kushtet e një rruge ideale, pa trafik, pa ndalesa dhe jo me transport publik..

Gjithashtu distanca Korçë –Lushnjë, në kushtet e një rruge ideale, pa trafik, do përshkohej për 3 orë dhe 30 min vetëm vajtje dhe po kaq edhe në kthim.. Këshilli i Bashkisë Korçë në mënyrë të vazhdueshme dhe pa kushte ka bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë duke vendosur në dispozicion të organeve të drejtësisë infrastrukurën e nevojshme për ushtrimin e funksioneve të tyre. Këshilli i Bashkisë Korçë ka dhënë trojet per ndertimin e godinave ku ushtrojnë funksionet institucionet e drejtësisë me destinacionet përkatëse, duke siguruar dhe gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës të jashtme. Sot gjykatat dhe prokuroria e Korçës në sajë edhe të investimeve të Bashkimit Europian kane infrastrukturë më të mire, krahasuar kjo me gjykatat dhe prokuroritë në qytetet e tjera.

3 Vlerësimi i ndikimit të mbylljes se Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit. Në fakt harta e re gjyqësore, për Rajonin e Korçës, me mbylljen e dy gjykatave, (Apel dhe Shkallë e Parë Administrative) do të sillte një ndikim negativ tek qytetarët, pasi: 1. Mbyllja e tyre, ul aksesin e qytetarëve në marrjen e këtij shërbimi. Aksesi në drejtësi lidhet me distancën qytetar-gjykatë, numrin e popullsisë në marrjen e këtij shërbimi, kostot e qytetarit në përfitim, si dhe me rritjen e cilësisë së këtij shërbimi. Me largimin e këtyre dy gjykatave rriten kostot për qytetarët dhe për institucionet publike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qytetin e Korçës. Një banori të Rajonit të Korcës do t’i duhet një kohë shumë e gjatë udhëtimi drejt kryeqytetit apo drejt qytetit të Lushnjës, për të marrë shërbime pranë këtyre gjykatave, dhe po një kohë e gjatë për t’u kthyer pranë vendbanimit të tij. Korça është qyteti më i largët, me distancë dhe kohë udhëtimi të gjatë nga qytetet ku janë projektuar gjykatat e reja.

Kjo rrit për qytetarët edhe për institucionet shpenzimet që lidhen me kostot e udhëtimit, ul efektshmërinë dhe efikasitetin e administratës e cila do të detyrohet të udhëtojë jashtë qytetit, për cdo gjykim që do zhvillohet në Gjykatë Apeli, apo çdo gjykim administrativ në shkallë të parë. Ndërkohë që për banorët e tjerë në njësitë administrative jo vetëm të Bashkisë Korçë por edhe atyre të Kolonjës, Devollit, Pogradecit dhe Maliqit distanca dhe koha e aksesit në gjykatë gati dyfishohet.

Hartimi i kësaj rezolute merr si shkas edhe dy përvoja, një të mëparshme dhe një aktuale. Draft harta e re gjyqësore nuk merr për bazë që sistemi gjyqësor ka qenë i organizuar edhe më parë me një gjykatë të vetme Apeli me seli në Tiranë, në një kohë me një numër gjyqtarësh shumë më të madh nga çka rezulton sot dhe me një numër më të vogël cështjesh në gjykim, dhe një organizim i tillë rezultoi i dështuar dhe solli rritjen e numrit te gjykatave të apelit nëpër rrethet gjyqësore ku u vendosen. Gjithashtu nuk ka marrë për bazë përvojën aktuale të gjykatës së vetme të Apelit Administrativ me seli në Tiranë, e cila u krijua për të përshpejtuar dhënien e drejtësisë në gjykimin e cështjeve administrative, por në fakt rezultoi jo efektive dhe nuk përmbushi qëllimin për të cilin u krijua duke e çuar përfundimin e gjykimit në Apelin administrativ nga 4-5 vjet. Një gjë e tillë është konstatuar edhe nga ana e institucionit tonë për çështjet që kemi në gjykim pranë kësaj gjykate. 4 Në ndryshim nga Gjykata Administrative e Apelit, Gjykatat e Apelit, sipas Rretheve Gjyqësore ku janë vendosur, kanë gjykuar në afate shumë më të shkurtra dhe të arsyeshme duke afruar shërbim më të shpejtë tek qytetari dhe institucionet. Gjykata e Apelit Korçë, aktualisht përfundon shqyrtimin e cëshjtjeve gjyqësore brenda një afati 3-5 muaj, ndërkohë që pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Bashkia Korçë, ka çeshtje që pret të shqyrtohen që prej vitit 2016, pra më shumë se 5 vjet.

Mbyllja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit si dhe institucioneve të tjera që kanë lidhje me to, sjell pasoja për qytetarin dhe të drejtën e tij që synon ta rivendosë apo ta mbrojë para Gjykatës, si dhe institucionet vendore dhe rajonale që janë palë në gjykime, brenda një afati të arsyeshëm ligjor dhe me sa më pak kosto.

Draft harta e re gjyqësore shumfishon kostot e shpenzimeve gjyqësore për: a. Qytetarët te cilët përveç pagesës së përfaqësimit në gjykim duhet të paguajnë edhe kostot e transportit dhe akomodimit të përfaqësuesit apo avokatit të tyre. b. Institucionet, të cilat duhet të paguajnë kosto transporti dhe akomodimi për përfaqësuesit e autorizuar të tyre. Ndikimi më i madh është tek efiçenca në punë. Aktualisht një jurist përfundon përfaqësimin e institucionit në një gjykim për rreth 1 orë, ndërkohë që nëse do t’i duhet të përfaqësojë institucionin pranë gjykatave në Tiranë i nevojitet më tepër së një ditë pune. Këshilli i Bashkisë Korçë drejtohet me kërkesat si më poshtë: 1. Të rishikohet draft harta e re gjyqësore duke lënë në funksion Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe Gjykatën e Apelit Korçë. 2. Harta e re gjyqësore të marrë në konsideratë interesin më të lartë të qytetarëve duke ju referuar të kaluarës, gjendjes aktuale dhe perspektivës të rajonit juglindor.. Duke vlerësuar bashkëpunimin, KËSHILLI I BASHKISË KORÇË KRYETAR Erjon NEXHIPI