Një kompani në Britani për përmirësimin e shtëpisë është gjobitur me 200,000 paund për kryerjen e më shumë se gjysmë milioni telefonatash të pakërkuara marketingu. Home2Sense Ltd me bazë në Lampeter bëri 675,478 telefonata midis qershorit 2020 dhe marsit 2021, tha Zyra e Komisionerit të Informacionit. Kompania ofronte shërbime izolimi për njerëzit e regjistruar në Shërbimin Preferencial Telefonik.
Home2Sense Ltd i tha hetuesve të Zyrës së Komisionerit të Informacionit se të dhënat e klientit ishin marrë nga një “burim i panjohur”. Kompania fajësoi stafin e saj për mos kontrollimin e numrave të telefonit në bazën e të dhënave të tyre kundër Shërbimit Preferencial Telefonik raporton “BBC”. Në Mbretërinë e Bashkuar është e kundraligjshme kryerja e thirrjeve të marketingut në numrat e telefonit që janë regjistruar në Shërbimin Preferencial Telefonik për më shumë se 28 ditë, përveç rastit kur marrësi ka njoftuar kompaninë se nuk kundërshton marrjen e thirrjeve të tilla.
Pas më shumë se 60 ankesave nga publiku, hetimi i Zyrës së Komisionerit të Informacionit zbuloi se kompania përdorte ilegalisht emra të ndryshëm tregtarë kur telefononte klientët, duke përfshirë Cozy Loft, Warmer Homes dhe Comfier Homes.
“Qëndrimi shpërfillës i kompanisë Home2Sense, i shoqëruar me përpjekjet e saj për të shmangur përgjegjësinë për respektimin e ligjit te stafi së saj, tregon një shpërfillje të plotë për të drejtat e privatësisë së njerëzve,” tha Komisioneri i Informacionit të Rajoneve, Ken Macdonald. Disa nga ankuesit i përshkruan thirrjet e marra si “agresive”. / abcnews.al