Kandidate e PS-së për Bashkinë Lushnje, Balla: Eriselda Sefa s’ka kundërshtarë, nuk merremi me ata të Bashës e Berishës

schedule16:32 - 2 Shkurt, 2022

schedule 16:32 - 2 Shkurt, 2022

Partia Socialiste njoftoi mbrëmjen e 1 shkurtit që në bashkinë Lushnje të kandidojë për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit me Eriselda Sefën, e cila mban aktualisht detyrën e kryetares së komanduar në këtë bashki.

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Lushnjes, drejtuesi politik i PS në qarkun Fier, Taulant Balla u shpreh i bindur se Sefa është zgjedhja më e mire që PS mund të bënte. Balla foli me superlativa për kryetaren aktuale të komanduar në bashkinë Lushnje dhe deklaroi se ajo gëzon mbështetjen e plotë të qeverisë dhe kryeministrit Rama.

“Eriselda Sefa, jam shumë i bindur që është zgjedhja më e mireë që PS duhet të bënte në kushtet e krijuara dhe ato 30 javë. Që nga momenti kur mori drejtim e bashkisë ka qenë punë intensive shumë e suksesshme. Një rritje e dukshme e transparencës që shoqërohet me rritjen e besimit të njerëzve. Eksperienca e saj në qeverisjen vendore, ishin argumenti kryesor që t’i besojmë drejtimin e bashkisë Lushnje. Një vajzë që ka marrë në këto vite besimin e gjithë donatorëve dhe mbështetësve dhe programeve të huaj që ka marrë bashkia Lushnjë.”

Balla tha se për zgjedhjen e saj u konsultuan përtej PS-së, “me sipërmarrjen, shoqërinë civile dhe mekanizmat sociologjikë të matjes së vlerësimit të njerëzve përmes një sondazhi të hapur.”
Rezultati sipas tij, ishte mbresëlënës.

Ndërsa tregoi se fushata do të zhvillohet derë më derë, drejtuesi politik i PS për qarkun Fier tha se në këto zgjedhje të majtët nuk kanë kundërshtarë. Ai tha se PS nuk do të merret as me atë që e cilësoi si lëvizja e “Saliut dhe e LSI-së, dhe as me atë që ka mbetur nga ish-Partia Demokratike e Lulzim Bashës.”

“Asnjë minutë nuk merremi me kandidatët e tyre, as të Saliut dhe as të Berishës. Edhe vetë e dinë që s’kanë asnjë shans të fitojnë në këto zgjedhje. Eriselda ka mbështetjen e plotë të qeverisë dhe kryeministrit për të çuar përpara projekte.” /abcnews.al/