Nga Mentor Kikia
Zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit do të kenë impakt lokal, pasi do të përcaktojnë kryetarët 6 bashkive. Por ato do të kenë, më shumë se kaq, impakt kombëtar, pasi do të tregojnë se nga do të anojë peshorja e opozitës. E thënë më shkurt, në 6 Mars do të mësohet se cila nga dy copat e PD-së është më e madhe dhe se cila do të jetë opozita e zgjedhjeve të ardhëshme të përgjithshme.
Pezullimi i Sali Berishës nga grupi i PD-së, ishte një shkas që në PD të shpërthente presioni i pakënaqësisë ndaj Bashës, valvula e sigurisë për të cilin ishte vetë Berisha. Tashmë, pas katër muajsh, sado që dy palët refuzojnë ta artikulojnë, PD është zyrtarisht ndarë në dy pjesë dhe lufta është se cila pjesë është më e madhe dhe cila është PD-ja e vërtetë. Njëra ka vulën dhe tjetra pretendon se ka shumicën e anëtarësisë. Në kushtet kur nuk u numëruan dot delegatët, as në stadium e as në Pallatin e Kongreseve, dhe kur brenda partisë nuk pati votë, në 6 Mars është rasti për ta numëruar votën edhe për llogari të sherrit të madh mes demokratëve.
Padyshim që 6 Marsi nuk do ta shuajë luftën, por ai do të sjellë një rikonfigurim të politikës. Edi Rama e pastroi oborrin e tij nga partizat e vogla të majta, që në emër të aleancave i ngatërroheshin nëpër këmbë duke kërkuar copëza pushteti. Në kampin tjetër, partitë e vogla kanë hezituar ti bashkohen dyshes Berisha-Meta(pëerveç Ndokës). Të tjerët ose janë në pritje, ose kanë preferuar të mos zbresin fare në këtë fushë ku u duhet të bëhen ose me atë që humb, ose me atë që është në përplasje të hapur me SHBA.
LSI-ja, një parti akrobacishë, pasi kishte përfunduar ciklin e koalicioneve PD-PS-PD, kur ishte gërryer së tepërmi nga mungesa e pushtetit, ofroi logon e saj për të dërguar në KQZ kandidatët e PD-së së Berishës. Kemi kështu një koalicion me disa parti zyrtare, por me kandidatë vetëm të palës që nuk është e regjistruar si parti, dhe që nuk ka as emër e as logo zyrtare.
Megjithëkëtë, në 6 Mars në garë do të jenë sërish tri palë. Do të kemi sërish një trekëndësh politik. Jo më trekëndëshin tradicional PS, PD dhe LSI, që kalonte herë me njërën e herë me tjetrën palë, por kemi PS-në, PD-në e Berishës + LSI dhe PD-në e Bashës.
Për herë të parë do të kemi tre kandidatë në garë. Por LSI-ja nuk do të ketë kandidatë të saj. Qëllim i Metës është rikthimi si faktor politik në opozitë, pas rrokullisjes në 25 Prill, ndaj u ofrua tërësisht në një bashkëpunim me Berishën për të larguar Bashën. Votat e LSI-së në 6 Mars do të numërohen si votë për kandidatin e Berishës përballë atij të Bashës, duke dhënë një lloj sigurie për superioritetin e të parit.
Sido që të dalë rezultati, dyshja Berisha(ose pjesa e PD-së së tij) dhe Meta do të vazhdojnë të ecin bashkë, të paktën edhe në zgjedhjet ardhëshme të përgjithshme, duke qenë njëri kënd i trekëndëshit të politikës shqiptare. Basha pretendon se ai është jashtë kësaj figure gjeometrike, që e ka quajtur Trekëndëshi i Bermudes, dhe që përbëhet nga Rama-Berisha-Meta, të cilit ai i ka shpallur luftë. Tani për tani, armiku më i madh i Bashës nuk është qeveria, por pikërisht dyshja Berisha-Meta, dhe ai shpreson që edhe Meta të marrë një “vlerësim” non grata pas dorëzimit të presidencës, që ta ketë më të lehtë luftën politike për kontrollin e opozitës. Një anim i peshores nga Berisha, do të bëjë që shumë mbështetës të Bashës ta braktisin anijen. Në këto kushte, vetëm një “ofensivë” amerikane ndaj Metës dhe Berishës mund ta shpëtojë Bashën dhe mund ta rikonstruktojkë skenën politike.
Parë në këtë këndvështrim, për herë të parë në një proces zgjedhor, më shumë se për vendin e parë luftohet për vendin e dytë. Gjithashtu, për herë të pare, një proces zgjedhur në vetëm 6 njësi vendore, pritet të çojë në një rikonfigurim të formacionit politik në nivel kombëtar.
E vetmja gjë që nuk ndryshon është se janë të njëjtët aktorë që përbëjnë edhe formacionet e reja. Pra, po ndërtojmë një shtëpi të re duke përdour të njëjtët materiale dhe lëndë ndërtimi që po i marrim nga e shtëpisë së vjetër që po shembet.