Aktorja Merita Xhani ka rrëfyer në studion e Provokacija eksperiencën e saj si aktore në Itali, ku ka pasur një sërë rolesh të rëndësishme në teatër dhe filma, përkrah aktorëve të njohur.
“Kërkohej një e huaj për shfaqjen Edipi Mbret, dhe unë e kisha çuar shkresën te zyra e emigracionit. Më morën në telefon nga Teatër Arxhentino. Pranova të punoja si figurante. Regjisori më dha një letër dhe më tha mësoje dhe do ta dëgjoj, e mësova dhe e mori atë letrën dhe më tha është e jotja. Unë hyra dhe isha aktore me aktorët kryesorë. Ishin aktorë që i kisha parë në filma dhe televizion, është fat dhe talent”.
Xhani ka rrëfyer gjithashtu edhe emocionet e skenës në Art Turbina, me “Gusht, portret familjar”, pjesë e një drame të vënë në skenë nga Spiro Dumi.
“Emocioni ka qenë gjatë provave, sepse shkëputja nga Teatri Shqiptar më krijoi vështirësi komunikimi, se nuk dija sesi të krijoja marrëdhënie me aktorët e tjerë, kam pas vështirësi të dytë se në këtë dramë kam nga fillimi në fund tekst, por të folurit në mënyrë korrekte shqip më mungonte, ishte vështirësi. Më kishte humbur muzikaliteti i frazës”.
Ajo tregoi në Provokacija edhe një nga eksperiencat e saj më të ëvshtira kur kishte humbur të atin dhe në të njëtën kohë duhej të aktronte.
“Në darkë kisha komedinë, për të dalë në skenë nuk mund ta lija, dhe e mbaj mend si një forcë të madhe timen. Thashë mblidhe veten dhe nuk derdha një pikë loti, mbarova komedinë dhe pastaj jam kthyer në hotel”.
Merita Xhani ka ikur në Itali në vitin ‘90 pak para përmbysjes së komunizmit. /abcnews.al