“Udhëtimi me charter 120 mijë euro”, Rama i kthen përgjigje PD-së: Ishte biletë ekonomike, 345€

schedule15:40 - 31 Janar, 2022

schedule 15:40 - 31 Janar, 2022

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të ngritura nga opozita, sipas të cilëve, kreu i qeverisë ka bërë së fundmi një udhëtim charter luksoz me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate të bërë nga deputetja Orjola Pampuri, e akuzon kryeministrin se me paratë e taksave të shqiptarëve ka udhëtuar në Evropë me një charter luksoz që vetëm për karburantin janë paguar 120 mijë euro.

Ndërsa thekson se është i pari kryeministër i vendit që udhëtimet e tij private i paguan vetë, Edi Rama sqaron se udhëtimi ishte “ekonomik” dhe se bileta vajtje-ardhje ka kushtuar 234 euro.

Dhe, teksa i përgjigjet pyetjes së Pampurit se kush i paguan “udhëtimet luksoze të kryeministrit”, Rama thotë se në “ndryshim nga paraardhësit e tij që udhëtonin me business class, ai udhëton thuajse tërësisht me bileta ekonomike.”

Kreu i qeverisë nuk kursen ironinë edhe me matematikën e kryedemokratit Lulzim Basha apo “bravat” që janë kthyer ndër fjalët më të përdorura në retorikën e përdorur nga ish-kryeministri Sali Berisha, kundër Lulzim Bashës.

Pampuri: Kush ka firmosur për udhëtimet e tij?  Kush i ka paguar ato?

Rama: “Mesatarja vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare, të cilat paguhen nga fondi i kryeministrisë, është më e ulët se sa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi, për arsyen e thjeshtë se ata udhëtonin në business class ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht në ekonomik, me përjashtim te ndonjë rasti të veçantë – e njëjta gjë edhe për ministrat. Ndërkohë qysh prej vitit 2020, kur kishim presidencën e OSBE, u bë një marrëveshje me kompaninë Air Albania dhe shpenzimi për vitin 2021 ishte nën mesataren e viteve të mëparshme.”

Pampuri: Vetëm për karburantin e një udhëtimi qejfi të Edi Ramës, harxhohen 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve.

Rama: “Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qenë 4.623.089 lek në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetikë fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxori 5004 delegatë. Po t’i shumëzosh këta delegatë me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7×7 brava, baraz 42 fluturime.” sb/abcnews.al/