Abc/Story- Historia shqiptare e avionëve luftarakë MIG

schedule20:30 - 30 Janar, 2022

schedule 20:30 - 30 Janar, 2022

Shqipëria do të bëhet me një bazë ajrore ushtarake të NATO-s. Marrëveshjet janë nënshkruar, madje në bazën ajrore të Kuçovës, është inauguruar edhe nisja e punimeve në terren.

Por kjo është vetëm faqja më e re e historisë së aviacionit ushtarak shqiptar.

Historia e kësaj arme, sidomos ajo e kohës së Komunizmit, është gjithashtu mbresëlënëse.

Shqipëria e kohës së diktaturës do të shfaqej si fuqi ushtarake rajonale menjëherë pas nënshkrimit në vitin 1955 të paktit Politiko-Ushtarak të Varshavës. Ndërsa mbërritja, gjatë të njëjtit vit, e një regjimenti të avionëve reaktivë MIG 15, të prodhimit sovjetik, do të bënte ndryshimin e madh.

Ishte një kohë kur shqiptarët do të mësoheshin me zhurmën, pamjet dhe bëmat e avionëve reaktivë, nga më konkurruesit e Botës – një epokë që në disa dhjetëvjeçarë do të përmbushte historinë e shkëlqimit, por edhe të venitjes së MIG-ëve që ruanin qiejt e Shqipërisë.

Ngritja e një flote të aviacionit ushtarak do të merrej seriozisht nga komunistët shqiptarë. Menjëherë pas çlirimit të vendit, aviatorët e parë ushtarakë do të nisnin të trajnoheshin në Jugosllavi.

Pas vitit 1948 aviatorët dhe studentët kaluan nëpër shkollat sovjetike.

Fillimisht stërvitjet bëheshin me avionë me helika të tipit JAK 18, ndërsa avionët reaktivë MIG 15, edhe pse të testuar qysh në fund të vitit 1947, do të mbërrinin më vonë në duart e studentëve shqiptarë.

Mbërritja në aeroportin ushtarak të Kuçovës, qysh në vitin 1955, e 28 avionëve MIG të prodhimit sovjetik, por edhe konsumimi i disa incidenteve të bujshme, bënë që krejt papritur, shpatullat e shtetit të brishtë shqiptar të ngriheshin në një nivel me ato të shteteve fqinje, që ishin aleate të paktit ushtarak të NATO-s.

Tashmë mund të thuhej se për herë të parë qielli i Shqipërisë kontrollohej nga rojet e tij besnike.

Por çfarë përfaqësonin në këtë kohë avionët reaktivë MIG 15 të prodhimit sovjetik?

Në fakt, historia e prodhimit të tyre në seri, është për të mos u besuar.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik kishte mbetur pas amerikanëve e britanikëve sa i përket zhvillimit të teknologjisë së avionëve ushtarakë reaktivë.

Pikërisht në këtë periudhë, inxhinierët sovjetikë i propozojnë Stalinit mosbesues, blerjen në Angli të motorëve Rolls-Royce që mund të prodhonin 5000 paund shtytje.

Për habi britanikët, që sa duket nuk e kishte kuptuar përshkallëzimin e tensioneve të Luftës së Ftohtë, e pranojnë ofertën.

Mbretëria e Bashkuar, që në këtë kohë përpiqej të shlyente borxhet e marra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit Lend-Lease, i shiti Rusisë, në vitet 1946-1947, dhjetëra motorë Rolls Royce, me kushtin e vetëm që të mos përdoreshin për qëllime ushtarake.

Por inxhinierët sovjetike i çmontuan motorët, i modifikuan duke ua shtuar fuqinë dhe i prodhuan në seri me emërtimin Klimov RD-45, duke sjellë në jetë prototipet e parë MIG 15.

MiG-15 lindi si një avion me parametrat më konkurrues të kohës. Avioni mund të arrinte një shpejtësi maksimale prej 678 miljesh në orë, njëqind milje në orë më të shpejt se avionët e rinj britanikë Meteor F8 dhe F-80 Shooting Star të SHBA-ve.

MIG 15 shfaqte shpejtësi të shkëlqyer në ngjitje dhe manovrim. Sovjetikët, të cilët e kuptuan cilësinë e mallit të tyre, do të prodhonin, gjatë viteve në vazhdim, rreth 10 mijë ekzemplarë.

Ashtu si edhe pritej, Mig 15 do të shfaqej si konkurrent i padiskutueshëm në konflikte të njohura botërore, sidomos në Luftën e Koresë, gjatë viteve 1951-1953.

Historia thotë se avionët MIG 15 kanë barazuar dhe shpesh tejkaluar aftësitë e avionëve reaktivë ushtarakë amerikanë, të pozicionuar me palën tjetër në konflikt.

Madje avionët MIG u bënë të frikshëm, pasi shifrat e përafërta flasin për qindra avionë luftarakë të rrëzuar për secilën palë ndërluftuese.

Për të pasur një rezultat pozitiv në konflikt, Stalini dërgoi në front jo vetëm avionët MIG 15, por edhe specialistët më të mirë të përdorimit të tyre.

Madje amerikanëve ju desh kohë të kuptonin se, në ajër, nuk po luftonin me koreanët, por me aviatorët më të përzgjedhur sovjetikë.

Me qëllim për të zvogëluar humbjet, përmes studimit të teknologjisë së avionit MIG 15, amerikanët shpërndanë këtë fletëpalosje.

Teksti joshte aviatorët koerano-veriorë dhe ata sovjetikë, të dorëzonin një MIG 15 kundrejt shumës joshëse prej 100 mijë dollarësh amerikanë.

Oferta funksionoi, por vetëm 1 muaj pasi konflikti ishte mbyllur.

Në shtator 1953 No Kum Sok, një lejtnant i Koresë së Veriut, dezertoi, duke e dorëzuar avionin e tij MIG 15 te amerikanët dhe duke përfituar shpërblimin e premtuar.

Pra avionët MIG, të mbërritur në Shqipëri në vitin 1955, kishin një pasaportë të vlefshme suksesesh.

Në duart e pilotëve të trajnuar në Bashkimin Sovjetik, këto mjete do ta tregonin veten edhe gjatë incidenteve të ndryshme të shkeljes së hapësirës ajrore të Shqipërisë.

Më 11 janar të vitit 1958, sikur të zbriste nga një tjetër planet, mbërritja e aviatorit amerikan Haward Curran, në aeroportin Chateuaroux të Francës, do të ndiqej nga mediet kryesore të Botës.

Heroi i Luftës së Dytë Botërore, pasi  kishte dërguar në botën tjetër ekuipazhet e katër avionëve nazistë, këtë radhë nuk po zbriste triumfues. Ai ishte mbajtur peng, bashkë me avionin e tij reaktiv, në një vend që befasisht kishte filluar të shfaqej si një fuqi serioze ajrore rajonale.

Sigurisht që ushtarakëve shqiptarë duhet tu ketë bërë përshtypje fakti se si amerikanët ishin të shqetësuar për jetën e pilotit të tyre, ndërkohë që për avionin stërvitor Lockheed T33, të njëjtin që më pas do të përfundonte në muzeun e armëve në Gjirokastër, nuk shfaqën asnjë interes për ta marrë mbrapsht.

Dy javë më pas, ulja e detyruar edhe e një tjetër avioni, që këtë radhë mbante flamurin britanik, duke bëri që territori i Shqipërisë të shënohej me ngjyrë të kuqe në të gjitha hartat ushtarake apo civile të vendeve të Europës, që nuk ishin anëtare të Traktatit Politiko-Ushtarak të Varshavës.

/Abcnews.al