“Oficeri i sigurisë”, në shkollat e Shkodrës projekti nuk është zbatuar

schedule15:31 - 20 Shkurt, 2019

schedule 15:31 - 20 Shkurt, 2019

Në gjashtë shkollat e Shkodrës që janë shpallur fituese të projektit për sigurinë, ende nuk ka nisur zbatimi i tij. Drejtuesit e gjimnazeve tregojnë se “Oficeri i Sigurisë” nuk ka filluar punë.

Nga 150 shkolla përfituese të projektit qeveritar për vendosjen e “Oficerit të sigurisë”, në Shkodër janë katër gjimnaze dhe dy shkolla të mesme të njësive administrative. Por deri tani këtu në Shkodër, oficeri i sigurisë nuk ka mbërritur.

Drejtuesit e gjimnazeve janë në dijeni të një projekti të tillë. Por ata tregojnë se ky ende nuk është zbatuar.

“Në fillim të viti shkollor është dhënë një informacion nga Ministria e Arsimit se një pjesë e shkollave do të kenë oficerë sigurie, por akoma nuk kemi një person që ka ardhur nga Drejtoria Arsimore apo nga Ministria e Arsimit për të kontaktuar për këtë problem”, tha Albana Bushati, drejtore e gjimnazit “28 Nëntori”, Shkodër.

“Në bazë të VKM-së pritet që të instalohet pranë shkollës tonë një oficer sigurie, por akoma nuk kemi një të tillë”, tha Kolë Shiroka, drejtor i shkollës së mesme “Shejnaze Juka”.

Me një VKM nr. 600 të datës 9.10.2018 Këshilli i Ministrave ka miratuar “Shërbimin e Sigurisë Publike në 150 Institucione të Arsimit Parauniversitar dhe kriterët për Oficerët e Sigurisë”.

Pas kësaj Ministria e Arsimitt shpalli konkursin, i cili në 13 Dhjetor të vitit të kaluar do nxirrte fituesit e vendeve vakante të punës.

Deri më tani nuk ka oficer sigurie në shkollat e ndryshme të Shkodrës. Me një urdhër të Ministres së re të Arsimit Besa Shahini publikimi i fituesve pas konkursit të shpallur do bëhet me 26.03.2019. Dhe për Shkodrën janë vetëm dy vende vakande në një kohë që nga projekti përfitojnë gjashtë shkolla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!