Numri i prekurve nga gripi në vendin tonë ka shkuar në 379 persona. 87% e tyre, sipas Institutit të Shëndetit Publik, rezultojnë të prekur nga virusi i gripit të derrit. Mjekët thonë se pacientët kërkojnë ndihmën e tyre kur gjendja shëndetësore është rënduar.
Shqipëria renditet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ndër shtetet me intensitet të lartë të gripit në qarkullim ndërsa Instituti i Shëndetit Publik konfirmon 379 persona të prekur nga virusi i tipit A. 87% të rasteve rezultojnë me nëntipin A/H1 dhe 9.7% me A/H3. Mjekët e Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tregojnë se një pjesë e pacientëve kërkojnë ndihmën e tyre kur gjendja shëndetësore është komplikuar.
Pacientët në gjendje më të rëndë janë shtruar në spital. Të sëmurë me grip nuk po trajtohen vetëm në shërbimin infektiv. Mjekët tregojnë se po trajtojnë dhe pacientë në shërbime të tjera të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” ku sëmundja për të cilën janë shtruar në spital është komplikuar për shkak të virusit të gripit. Në këtë situatë bluzat e bardha i bëjnë apel qytetarëve për kujdes të shtuar, shmangie të kontaktit të tepërt me personat e sëmurë dhe kryerjen e vaksinës kundër gripit./abcnews.al