Një turist francez është dënuar me tetë vjet burg për spiunazh nga një gjykatë në Iran, tha avokati i tij në Paris. Benjamin Brière, 36 vjeç, u arrestua në maj 2020 pasi ngriti një dron pranë kufirit Iran-Turkmenistan. Ministria e Jashtme e Francës e quajti dënimin e tij “të papranueshëm” dhe tha se “nuk kishte asnjë bazë në fakt”. Një avokat i zotit Brière, Philippe Valent tha se klienti i tij ishte bërë “gjithnjë e më i dobët” nga një grevë urie që ai filloi në dhjetor.
Ai “nuk pati një gjykim të drejtë përpara gjyqtarëve të paanshëm”, u citua të thoshte avokati nga agjencia e lajmeve “AFP”. Brière u gjykua me dyer të mbyllura në Gjykatën Revolucionare në qytetin lindor të Mashhad. Avokati tha se klienti i tij nuk ishte plotësisht i informuar për akuzat kundër tij. Ai tha se ishte burgosur edhe për tetë muaj shtesë për propagandë kundër sistemit islamik iranian. Familja e Brière ka këmbëngulur se ai është i pafajshëm dhe thotë se ai po përdoret si një peng politik.
Brière u arrestua gjatë pushimeve në Iran, tha Ministria e Jashtme franceze. Ai është një prej shtetasve të huaj ose personave me shtetësi të dyfishtë iraniane që mbahen në Iran, megjithëse është i vetmi i burgosur perëndimor i njohur që nuk ka gjithashtu një pasaportë iraniane. Rasti i tij vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis Iranit dhe fuqive perëndimore, në mosmarrëveshje për programin bërthamor të Iranit raporton “BBC”.
Irani dhe Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë zhvilluar bisedime në Vjenë për disa muaj që synojnë rivendosjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare për të frenuar aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike, një marrëveshje e cila u shpërbë pasi SHBA tërhoqi mbështetjen e saj në 2018. Bisedimet deri më tani kanë qenë jopërfundimtare, ku secila palë paralajmëroi se negociatave po i mbaron koha. Fuqitë e huaja thonë se nuk janë të bindura nga pohimi i Iranit se programi i tij bërthamor është për qëllime thjesht paqësore dhe jo për ndërtimin e një bombe. / abcnews.al