Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka publikuar një studim të fundit për sa i përket rrezikshmërisë së variantit të COVID, Omicron krahasuar me Deltan. Mjeku thotë se Omicron ka më pak risk për shtrim në spital dhe humbje jete në krahasim me Deltën. Pas të dhënave spitalore nga Afrika e Jugut, Skocia, Anglia, SHBA dhe Kanadaja, ai ka theksuar se ka ardhur konfirmimi edhe nga Portugalia.
Të dhënat e studimit publikuar nga Ilir Alimehmeti
“Në shkencë konsensusi është i parëndësishëm. Rëndësi kanë rezultatet e riprodhueshme.” Cit.: Michael Crichton. Omicron ka më pak risk për shtrim në spital dhe humbje jete në krahasim me Deltën! Pas të dhënave spitalore nga Afrika e Jugut, Skocia, Anglia, SHBA dhe Kanadaja, vjen konfirmimi edhe nga Portugalia.
Studiuesit e autoriteteve zyrtare shëndetësore në Portugali hulumtuan në detaj dhe prepublikuan me 23 Janar 2022 të dhënat mbi:
9.397 të infektuar me Delta dhe
6.581 të infektuar me Omicron.
Rezultatet flasin qartë që Omicron ka më pak risk se Delta!
Të shtruar në spital:
148 (1.6%) e të infektuarve me Delta dhe
16 (0.2%) e të infektuarve me Omicron.
75% më i ulët risku i shtrimit në spital me Omicron në krahasim me Deltën.
Humbje jete:
26 (0.3%) humbje jete me Delta dhe
0 (0%) humbje jete me Omicron.
86% më i ulët risku për humbje jete me Omicron në krahasim me Deltën.
Qëndrimi në spital:
8.6 ditë mesatarisht me Deltën dhe
3.7 ditë mesatarisht me Omicron.
4 ditë më pak shtrim në spital me Omicron në krahasim me Deltën.
Të dhëna të tjera që marrim nga ky studim:
Shtrime në terapi intensive, si përqindje e shtrimeve spitalore:
17 raste (11.5%) me Delta u shtruan në terapi intensive,
0 raste (0%) me Omicron në terapi intensive.
Në grupin e të vaksinuarve Omicron kishte 64% më pak risk për shtrim në spital në krahasim me Deltën. Në grupin e të pavaksinuarve Omicron kishte 79% më pak risk për shtrim në spital në krahasim me Deltën.
Më shumë mund të shohim në tabelën S1 se në krahasim me Deltën: vetë Omicron e ul gjasën e vdekjes me 86% (1 – 0.14), por nëse edhe është kryer vaksinimi me dy doza, gjasa e vdekjes ulet edhe me 66.5% më shumë, ndërsa nëse është kryer edhe doza e tretë, gjasa e vdekjes ulet edhe me 95.4% më shumë. /abcnews.al