Martini: Goli na uli moralin, ndikuan mungesat, nuk e mendoja të ishim kaq poshtë

schedule16:43 - 22 Janar, 2022

schedule 16:43 - 22 Janar, 2022

Teuta ka harruar të fitojë, ku në 4 ndeshjet e fundit ka po kaq humbje. Një paraqitje e kampionëve shumë larg asaj që pritej.

Rikthimi në stol i Edi Martinit duket se nuk po jep rezultatet e duhura. Edhe këtë herë durrsakët nuk mundën të dilnin qoftë edhe me 1 pikë, ndërsa Laçi u tregua i pamëshirshëm duke iu shënuar plot 4 gola, me ndeshjen që përfundoi me shifrat 4-2.

Pas ndeshjes trajneri Edi Martini ishte shumë i zhgënjyer me rezultatin, ku nuk mundën të ruajnë avantazhin.

“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por pësuam gol në mënyrë të pafat. Ishte e pafalshme që pësuam atë gol, pasi na u zbeh edhe morali. Në pjesën e dytë vuajtëm ngarkesën psikologjike, por u rikthyem në lojë, duke rihapur ndeshjen dhe duke krijuar shanse për barazim, por nuk ia dolëm.

Normalisht edhe mungesat bëjnë punën e tyre, pasi Ivanovic dhe Jackson janë pjesë e formacionit dhe kur nuk i kemi, na hapet punë. Edhe ata që i zëvendësuan, luajtën mirë, por ky është futbolli dhe ndonjëherë duhet të përballesh edhe me mungesat.

Për situatën që kalojmë, duhet t’u jap më shumë zemër skuadrës dhe vetes. Është fakt që nuk po bëjmë mirë, por jemi një grup dhe si dështimi, ashtu edhe suksesi, është i të gjithëve.

Nuk e kisha menduar që do të ishim kaq poshtë në tabelë, por ekipi ka mundësi të reagojë, pasi kemi një skuadër me lojtarë cilësorë dhe të fortë. Me 2-3 fitore do të ngjiteshim ndjeshëm, ndaj duhet të shohim përpara”, u shpreh Martini. /f.a/abcnews.al