Sekretari për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa deklaroi në “ABC Live” me moderatoren Sibora Bitri se prokuroria ka hetuar dhe ka kontrolluar për 5 orë pas protestës në godinën e PD por nuk ka gjetur asnjë objekt të paligjshëm për të cilin akuzohet nga pala tjetër.
Ai foli për kohën kur ka nisur të angazhohet në PD, duke theksuar se banda e Lushnjes nuk i linte demokratët të mblidheshin ndërsa ironizoi ish-kryetarin Berisha se nuk i linte të rinjtë as të kandidonin apo fitonin në poste drejtuese.
“Kur kam bërë unë fushatë për PD në vitin 2000, banda e Lushnjes nuk linin të mblidheshin demokratët. Ju demokratët i dini vetëm këta që rrinë në Bllok me xhaketë. Ai demokrati i madh Sali Berisha nuk të linte të kandidoje dhe jo më të fitoje.
Ka informacione Partia Demokratike. Ashtu si ka dhe video. Ka hetuar prokuroria dhe ka kontrolluar ambientet e PD për 5 orë. Është bërë edhe kontroll fizik. Jam kontrolluar edhe unë. Nuk ka kaluar asnjë pa u kontrolluar në PD”, u shpreh Sefa.
Ai deklaroi se janë tre persona që kanë dëshirë të shohin demokratët të përgjaken me njëri tjetrin duke përmendur këtu Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën.
“Tre persona kanë dëshirë të shohin demokratët të përgjaken me njëri tjetrin. Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Çfarë lidhje ka presidenti të komunikojë për një çështje brenda PD. Edi Rama e vonoi për 40 minuta ndërhyrjen në protestë. Dhuna ishte në sytë e të gjithëve. Është detyrë e policisë së Shtetit kur sheh akte dhune të ndërhyjë”, tha ai.
Ndërsa paraardhësi i tij në këtë post i cili tashmë ka dalë në mbështetje të Berishës, Çlirim Gjata deklaroi se ata që ndodheshin brenda selisë së PD ditën e protestës kishin pistoleta gazhedhëse që nuk mund të përdoren pa lejen e policisë. Ai gjithashtu akuzoi kreun e PD Lulzim Basha se angazhon në takime me demokratët persona që kanë bërë fushatë për PS në zgjedhjet e 25 prillit.
“Janë pamjet për atë. Ata që ishin brenda PD kishin pistoleta gazhedhëse njësoj si policia. Ajo jepet vetëm me lejen e policisë. Sepse konsiderohet armëmbajtje pa leje. Vetëbunkerizimi i PD është veprimi më katastrofik që mund të ndodhë në PD. Ai tha se nuk do ta bunkerizojë partinë por e bunkerizoi vetë. Kur shkon nëpër takime dalin ata të FRESSH që kanë marrë pjesë në fushatën e 25 prillit. Dhe tani dalin në takim me Bashën”, u shpreh Gjata./abcnews.al