Uashingtoni e pranon kërkesën e presidentit të Venezuelës Nikolas Maduro për dialog, me kushtin që temë e bisedimeve të jetë dalja e tij nga skena politike e vendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme që të takohen me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro për të negociouar daljen e tij nga skena politike. Lajmi është raportuar nga CNN që citon një zyrtar të lartë të administratës. Ndërkohë presidenti venezuelian Maduro konfirmoi se ministri i tij i jashtëm është takuar me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Venezuelën. Takimi u zhvillua në Nju Jork dhe sipas Maduros biseda ka qenë e qetë.
Uashington është një nga vendet që mbështet liderin e opozitës Huan Guaido duke e njohur si President të ligjshëm të vendit pas vetëshpalljes së tij në janar. Por Maduro vijon të akuzojë Uashingtonin se po planifikon një pushtim ushtarak në Venezuelë në mnyrë që të marrë rezervat e naftës të vendit amerikano jugor. Maduro premton se është gati të mbrojë çdo milimetër të territorit të vendit nga çdo sulm i mundshëm. Sekretari amerikan i Shtetit Majk Pompeo u shpreh se nuk është një risi që Maduro kërkon dialog me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo sipas tij tregon se Maduro është vetëdijësuar që populli venezuelian e refuzon atë dhe mënyrën e tij të qeverisjes. /abcnews.al

