Paneli i Kongresit që hetoi trazirat e vitit të kaluar në Kapitol të SHBA-së, ka thirur të dëshmojë avokatin personal të ish-presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani. Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi që zoti Giuliani dhe tre të tjerë të dorëzojnë dokumentet dhe të ulen për depozitime më 8 shkurt.
Giuliani udhëtoi në SHBA pas zgjedhjeve të vitit 2020 për të promovuar pretendimin e pabazë se Trump kishte fituar votën. Trazirat e 6 janarit 2021 u nxitën nga gënjeshtrat rreth mashtrimit masiv të votuesve. Letërthirrjet u lëshuan të martën dhe për tre bashkëpunëtorë të tjerë të Trump. Tre bashkëpunëtorët e tjerë që janë thërritur për të dëshmuar janë Jenna Ellis që është asistentja e zotit Giuliani, Sidney Powell ish-avokate e zotit Trump dhe Boris Epshteyn që ishte strateg i fushatës së Trump raporton “BBC”.
Bennie Thompson, ligjvënësi demokrat që drejton komitetin e përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve, tha në një deklaratë se të katër ndihmësit “përparuan teori të pambështetura rreth mashtrimit zgjedhor, nxitën përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve ose ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me ish-presidentin në lidhje me përpjekjet për të ndaluar numërimin e votave elektorale”. Në dokumentin e komitetit zoti Giuliani dhe zonja Powell akuzohen se i kërkuan zotit Trump të kapte makineritë e votimit në të gjithë vendin pasi u informuan nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare se “nuk kishte autoritet ligjor për ta bërë këtë”.
Në ditën e trazirave, Giuliani iu drejtua turmës së mbështetësve të Trump jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe bëri thirrje për “gjykim me luftë”. Më vonë, ndërsa turma po sulmonte ndërtesën, ai thirri senatorët në një përpjekje të mëtejshme për të ndaluar certifikimin e Joe Biden si president. Sipas ‘CNN”, paneli ka marrë gjithashtu të dhënat telefonike të djalit të ish-presidentit, Eric Trump dhe Kimberly Guilfoyle, e cila është fejuara e djalit tjetër të Donald Trump. / abcnews.al