Lojërat Olimpike Tokio 2020, dy Koretë me një skuadër të përbashkët

schedule11:13 - 16 Shkurt, 2019

schedule 11:13 - 16 Shkurt, 2019

Në lojërat olimpike të Tokios në 2020-ën, Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut mund të marrin pjesë me një skuadër të përbashkët. Propozimi i është dorëzuar Komitetit Olimpik ndërkombëtar, i cili po shqyrton mundësinë.

Në Lozanë, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Tomas Bak është takuar me një delegacion të dy Koreve me objektivin për të diskutuar për pjesëmarrjen e përbashkët në lojërat olimpike të 2020-ës në Tokio në disa disiplina.

Në tryezën e bisedimeve është dhe mundësia e një kandidature të përbashkët për të organizuar lojërat olimpike në 2032-shin.

Bak e cilësoi takimin si një symbol të pushtetit unifikues të sportit. Ai tha se komiteti e ka mirëpritur propozimin dhe tashmë po diskutohet me federatat ndërkombëtare dhe do të vazhdojë dialogun në mënyrë të detajuar me dy delegacionet.

Komiteti olimpik bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia për një skuadër të përbashkët në basketboll, Hokej për femra, në xhudo dhe në kanotazh për femra e meshkuj.

Nëse propozimi do të pranohet do të duhet të ndodhë para fillimit të kualifikimit në Lojërat olimpike.

Dy delegacionet drejtohen nga ministrat respektivë të sportit. Dy Koretë marshuan me një flamur të bashkuar në ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike dimërore në 2018-ën, duke prezantuar një skuadër të përbashkët në Hokej për femra. /abcnews.al