Magazina dytësore ku cënohej siguria ushqimore, AKU ndërpret aktivitetin e biznesit në juglindje të vendit

schedule20:25 - 17 Janar, 2022

schedule 20:25 - 17 Janar, 2022

Pas një denoncimi në numrin e gjelbër (0800 75 75) AKU ka pezulluar aktivitetin e një operatori biznesi ushqimor me incial “D” që operon në juglindje të vendit.

AKU urdhëroi plan-veprimi lidhur me rastin dhe u krye inspektim së bashku me Drejtorinë Rajonale të AKU-së në dy adresa, ku subjekti ushtronte aktivitetin, aty ku kryhej procesi i prodhimit të produkteve ushqimore me bazë mishi, ambalazhimi i produkteve djathë, peshk, pjesë mishi, në ambientet frigoriferike dhe ambientin e tregtimit.

Gjatë inspektimit u konstatuan produkte të gatshme për hedhje në treg:

● Produkte me bazë mishi me etiketa të panotifikuara dhe që nuk kishin të deklaruar në etiketë përbërësit, disa prej të cilëve alergenë kryesorë ushqimorë.

● U mor masë administrative gjobë për sa më lart dhe për mosplotësimin periodik të regjistrave të HACCP.
● Për produktet e bllokuara po dërgohen mostra në ISUV.

Në adresën, me tre ambiente të reja magazinuese që u identifikua referuar të dhënave nga denoncuesi, u konstatuan gjatë kontrollit fizik:
● Aty ku mbaheshin produktet ushqimore nuk plotësoheshin kushtet e nevojshme higjieno-sanitare për këtë veprimtari.
● Magazina ishte e pamirëmbajtur dhe brenda saj u konstatua një sasi prej 14’400 kokrra vezësh të paketuara dhe të pavulosura, me mungesë datë skadence dhe pa gjurmueshmëri.
● Në ambientet frigoriferike, në kushte të papranueshme u konstatuan 711.5 kg mish, pa dokumentacionin shoqërues, 100 kg galetë pa etiketë identifikuese.

Grupi inspektues i AKU-së mori masën urgjente të ndërprerjes së aktivitetit të këtij subjekti dhe bllokimin e produkteve sa më lart, me destinacion përfundimtar asgjësimin e tyre, masë administrative gjobë për kushtet higjieno-sanitare dhe masë administrative gjobë për mungesën e gjurmueshmërisë.

Njoftohet se procedura e inspektimit vazhdon duke ndjekur nga afër asgjësimin e produkteve të bllokuara për asgjësim. Me daljen e përgjigjes së analizave nga ISUV do vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.

Gjithashtu AKU po përgatit materialin për kallëzim penal të kësaj veprimtarie. /abcnews.al/