Tensionet me demokratëve në Kuvend, ndërhyn Balla: Nga grupi i PD janë përjashtuar historikisht

schedule16:46 - 17 Janar, 2022

schedule 16:46 - 17 Janar, 2022

Seanca e sotme në Kuvend ka nisur me tensione mes demokratëve. Deputetët e përjashtuar në krah të Berishës kundërshtuan vendimin e Lulzim Bashës.

Në këto debate ka ndërhyrë kreu i grupit të PS, Taulant Balla i cili tha se seanca duhet të vazhdojë normalisht dhe kujtoi që në PD ka pasur historikisht përjashtime. Balla mori në mbrojtje kryetaren e Kuvendit, pasi deputetët e përjashtuar e akuzuan se ka shkelur rregulloren.

“Mbështes vendimin tuaj zonja kryetare. E para të kujtojmë që në këtë sallë janë njoftuar vendime për përjashtime historikisht. Është përjashtuar Spartak Ngjela, Gilman Bakalli. Në këtë aspekt e drejta e një grupi parlamentar për të përjashtuar dikë është ekskluzive. Jam besimplotë që brenda grupit të PD ka një rregullore.

Po flas si një deputet. Nuk ekziston koncepti i pezullimit o je o s’je në një grup. Do i kërkoja grupit të PD që këtë ta adresojë në një seancë pasardhëse. Në këtë këndvështrim mendoj se seanca duhet të vazhdojë normalisht”, u shpreh Balla.

Ndërkaq, Flamur Noka u shpreh se Taulant Balla nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Partisë Demokratike.

“Taulant balla nuk mund të flasë në emër të grupit të PD. Në rast se pengu autorizon Taulant Ballën të bëjë zëdhënësin e PD nuk mund të pranohet. Balla të vazhdojë me grupin e tij, por zëdhënësin e  shoqatës së bravave mund ta bëjë sa të dojë”, u shpreh ai. g.v/abcnews.al