Maratona e bisedimeve mes Perëndimit dhe Rusisë për gjendjen në Ukrainë javën që sapo kaloi përfundoi pa asnjë rezultat. Megjithatë disa konkluzione mund të nxirren që tani, është i mendimit Jörg Himmelreich
Garancitë e kërkuara nga Moska janë tërësisht të papranueshme. Në draftin e një marrëveshjeje sigurie amerikano-ruse në mesin e dhjetorit, presidenti Putin përpiqet të arrijë me shantazh që NATO të heqë dorë nga një anëtarësim i Ukrainës dhe Gjeorgjisë në aleancë si edhe të mos stacionojë trupa në Poloni dhe Hungari. NATO nuk mund të lejojë ta urdhërojë Putini, se cilin vend pranon si anëtar dhe se ku stacionohen njësitë e saj. Po aq e parashikueshme ishte se Putini nuk do ta reduktonte shpejt gjendjen kërcënuese që krijoi me më shumë se 100.000 ushtarë rusë në kufi me Ukrainën. Përkundrazi: pas takimit të Këshillit të OSBE, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Rjabkov konfirmoi jo vetëm, se bisedimet ishin pa rezultat, por i shtoi edhe më shumë tonet kërcënuese: Ai nuk sheh arsye për bisedime të tjera dhe nuk përjashtoi stacionimin e trupave ruse edhe në Kubë e Venezuelë.
Mësime të rëndësishme për Perëndimin
Megjithëse bisedimet nuk sollën rezultat, Perëndimi mund të nxjerrë përfundime të rëndësishme për mënyrën e veprimit me Rusinë. Ishte gjëja e duhur, që administrata e Bidenit nuk iu druajt bisedimeve bilaterale me Moskën, megjithëse në axhendën globale të politikës botërore të fokusuar tek Kina, dosja “Rusi” nuk zë vendin e parë. Për Putinin me neurozën e tij të superfuqisë, kjo pati rëndësi që të perceptohej më në fund nga Uashingtoni si i barabartë. Politika amerikane ndaj Rusisë ndiqet me vëmendje edhe në Pekin.
E rëndësishme ishte që Zëvendëssekretarja Amerikane e Shtetit, Wendy Sherman në Gjenevë hapi perspektiva për bisedimet për kontrollin e armatimit, për masat për krijimin e besimit dhe uljen e rrezikut, që përfshin edhe stacionimin e raketave me rreze të shkurtër e të mesme veprimi në Europë. Përgjigja ruse ndaj kësaj do të tregojë, nëse Moska vërtet është e interesuar për zgjidhje diplomatike dhe për çarmatimin.
Strategjia e dyfishtë mbetet rruga e duhur
Ajo që është fiksuar në raportin e Harmelit të NATO-s nga viti 1967 (Harmel- raporti mban emrin e ministrit të Jashtëm belg atëherë, Pierre Harmel, shën.red.) si strategji e dyfishtë e kërcënimit dhe gatishmërisë diplomatike për bisedime për interesat e përbashkëta për çaramatimin është ende strategjia e vetme e sukseshme politike dhe me kuptim në qëndrimin ndaj Rusisë.
Megjithatë NATO dhe sidomos BE e kanë lënë pas dore komponenten kërcënuese dhe kjo po i kundërvihet tani. Sanksionet e deritanishme ekonomike si përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë ishin shumë të dobta. Moskës i duhen bërë të ditura sanksione ekonomike dhe në rast nevoje të zbatohen në atë mënyrë, që Putini dhe nomenklatura e tij kleptokratike ta ndjejë se dëmtohet sëriozisht. E gjithë marrja në konsideratë ka dalë pa efekt, qoftë heqja dorë nga procesi i pranimit të Ukrainës në NATO në vitin 2008 në Bukuresht, po ashtu edhe besnikëria e ngurtë ndaj gazsjellësit Nord Stream 2 apo sanksionet e padëmshme ekonomike deri më tani.
Nga BE shumë pak aktive
BE në marrëdhënien me Rusinë luan vetëm një rol dytësor pas SHBA-së. Ajo as nuk ka vullnet ta garantojë dhe as nuk është e aftë ta garantojë sigurinë në fqinjësinë e saj lindore. Për këtë arsye NATO në këto vende përjeton një rilindje të pamenduar më parë, pavarësisht elegjive që iu kënduan aleancës euro-atlantike. Putini nuk synon asgjë më pak se të rrëzojë të gjithë arkitekturën europiane të sigurisë pas Luftës së Ftohtë e ta rikonfigurojë atë përgjatë zonave të dikurshme të influencës sovjetike. Kjo bëhet vetëm me dhunë. E ai nuk e përjashton asnjë mjet të dhunës, edhe atë të luftës së drejtpërdrejtë në Europë.
“Ekziston rreziku i vërtetë për një konflikt të ri të armatosur në Europë”, tha qartë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit të Këshillit NATO-Rusi. Për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm si qeveria gjermane ashtu edhe deputetët e SPD-së.
Perëndimi duhet të jetë i matur
Nëse do të ketë një pushtim tjetër rus në Ukrainë, mbetet ende e paditur. Atmosfera kërcënuese ruse që është krijuar mbetet, madje kërcënimi do të shtohet. Një solidaritet i vendosur dhe i matur i Perëndimit në politikën ndaj Rusisë është sot më i kërkuar se kurrë. Gjermanë, qëndrimet më vete e të pakoordinuara të politikës së jashtme e të energjisë të Europës kundrejt Putinit nuk e ndalin atë./DW