Pas disa muajsh mëdyshje, presidenti Donald Trump ka vendosur të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, për të siguruar financimin e murit me Meksikën. Me këtë lëvizje, Trump ka mundësinë të përdorë fondet e kërkuara pa konsensusin e Kongresit, që deri më sot e kishte bllokuar.
Presidenti Donald Trump do të nënshkruajë projekt/ligjin për sigurinë kufitare për të shmangur një bllokadë të dytë qeveritare, por në të njëjtën kohë do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për të siguruar financimin e murit me Meksikën.
Lëvizja e presidentit i mundëson atij të anashkalojë Kongresin dhe të përdorë fonde ushtarake për të kthyer në realitet premtimin kryesor të bërë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i grupit të senatorëve republikanë, Miç Mek Konell, ndërsa është konfirmuar edhe nga Shtëpia e Bardhë.
“Edhe një herë presidenti po i përmbahet premtimit të tij për të ndërtuar murin, për të mbrojtur kufirin dhe për të garantuar sigurinë e vendit tonë”, ka deklaruar zëdhënësja Sarah Sanders.
Projekt/ligji i rënë dakord mes palëve për të shmangur një tjetër bllokadë qeveritare përfshin një fond prej 1.3 miliardë dollarësh për sigurinë kufitare, përfshirë këtu ngritjen e barrierave fizike, por nuk lejon kalimin e fondit të kërkuar nga presidenti për murin.
Kur Trump paralajmëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme më herët gjatë vitit, disa republikanë e kundërshtuan me argumentin se lëvizja do të përbënte një precedent të rrezikshëm.
Por duke folur ditën e enjte, kryesenatori Mek Konell shprehu mbështetjen e tij, duke thënë se presidenti po vepron me çdo mjet ligjor në dispozicion për të garantuar sigurinë në kufi./abcnews.al