Nga emisioni Vetting:
Deri në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, firma D&E, përfaqësuese e bashkimit të operatorëve fitues ka vijuar të paguhet për kontratën e parë të obliguar nr 43/7 të tenderit “Blerja dhe shpërndarja e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit” .
Në përgjigje të kërkesës së “Vetting”, Ministria e Financave konfirmon zbatimin e kontratës së nënshkruar në datë 10 shtator të vitit 2020, me vlerë 1,727,504,772 lekë. Kjo është kontrata e parë, pjesë e tenderit 4-vjeçar, për të cilin u penalizuan ligjërisht 9 nga specialistët që shqyrtuan dhe vlerësuan procedurat e prokurimit. Por, kjo nuk është kontrata e vetme e uniformave që shteti shqiptar ka lidhur me firmën fituese D&E sh.p.k gjatë dy viteve të fundit. Madje , prej vitit 2019, kur kjo procedurë u hap e deri më sot, në llogarinë e firmës D&E.sh.p.k, siç raporton MFE janë derdhur shumat si më poshtë:
-Në vitin 2019 në llogarinë e firmës D&E janë paguar 1,524,704,640.00 lekë.
– Pagesat e ekzekutuara nga 11.05.2020 deri në 31.12.2020, që nuk lidhen me pagesat e Uniformave të Policisë së Shtetit, janë 729,733,980.00 lekë.
-Gjatë vitit 2021, pra nga Janar 2021 deri në 13.12.2021 janë kryer pagesa për blerje të uniformave të policisë së shtetit bazuar mbi kontratën e obliguar në SIFQ nr. 43/7, datë 10.09.2020 për shumën: 326,181,880.00 ALL. Mbetur pa likujduar nga kjo kontratë janë 1,401,322,892.00 ALL.
**Ky dokumentar është një produkt i @abcnews.al, zbatues të projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e @QJournalism, @albanianmediainstitute dhe @Qendrafol.al, mbështetur nga @usembassytirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media