Deputeti Belind Këlliçi ka deklaruar se në protestën e 8 janarit kamerat e katit të dytë në selinë e PD kanë qenë të veshura me natriban, sipas tij për të fshehur ngjarjet. Nga studioja e “Radarit Informativ” në Abc, Këlliçi i ka bërë thirrje prokurorisë që të hapë kamerat, pasi sipas tij ka gjëra që janë fshehur.
“Kam një informacion, kam burimet e mia që më thonë se kur janë sekuestruar serverat në PD në katin e dytë kamerat kanë qenë të veshura me natriban për të fshehur të gjitha ngjarjet në katin e dytë. Nëse prokuroria do të bëjë transparencë mjafton të hapë kamerat e një dite më parë. Të nxjerrë datën shtatë janar dhe 8 janar, s’besoj se ka arsye që mund të bësh kamerat me natriban nëse nuk ke diçka për të fshehur”, tha ai.
Policia sipas Këlliçit duhet të kishte ndërhyrë në selinë blu një ditë para protestës, ndërsa akuzon se kanë qëndruar me turne persona të dyshimtë.
“Faji më i madh i policisë ka qenë se nëse donin të bënin detyrën të kishin ndërhyrë 24 orë më parë, sepse ne kemi çuar informacion se në seli ndodhen njerëz të armatosur. Ne kishim thënë se në seli qëndrojnë kriminelë me turne. Basha thotë se ata që dolën nga ballkoni i zyrën time unë si njoh. Kryeverpa e kryeveprave është se ka thënë se unë po bëj sakrificë që po rri në krye të PD, po mos e bëj o njeri”, u shpreh deputeti.
Një përgjigje ka pasur edhe për sekretarin e Përgjithshëm të PD Gazment Bardhin i cili tha se Këlliçit i është vjedhur një nuskë në zyrë.
“Kjo është për të banalizuar një ngjarje që unë e kam denoncuar. Edhe nëse më ka humbur ndonjë nuskë, të paktën qeni s’më ka humbur, nuk kam paditur njeri që më ka vjedhur qenin. T’i lëmë banalitetet. Duan ta fusin diskutimin në banalitet. Më mirë që po ndodhin të gjitha këto që të tregohet realitet. Basha refuzon ta zgjidhë krizën me votë”, shtoi Këlliçi. be.k/abcnws.al