Hakerat e Koresë së Veriut vodhën 400 milionë dollarë kriptomonedhë në vitin 2021

schedule07:50 - 14 Janar, 2022

schedule 07:50 - 14 Janar, 2022

Hakerat e Koresë së Veriut vodhën pothuajse 400 milionë dollarë asete dixhitale në të paktën shtatë sulme në platformat e kriptomonedhave vitin e kaluar, sipas një një raporti. Kompania “Chainalysis” tha se ishte një nga vitet më të suksesshme të regjistruara për kriminelët kibernetikë në shtetin e mbyllur të Azisë Lindore. Sulmet kishin në shënjestër kryesisht firmat e investimeve dhe shkëmbimet e centralizuara.

Koreja e Veriut ka mohuar në mënyrë rutinore të jetë përfshirë në sulme hakerimi që i atribuohen atyre. “Nga viti 2020 deri në 2021, numri i hakimeve të lidhura me Korenë e Veriut u rrit nga katër në shtatë dhe vlera e nxjerrë nga këto hakime u rrit me 40%,” tha “Chainalysis” në një raport. Hakerat përdorën një sërë teknikash, për të hequr fondet nga kuletat “e nxehta” të organizatave dhe më pas i zhvendosën ato në adresat e kontrolluara nga Koreja e Veriut, tha kompania.

Kuletat e nxehta të kriptomonedhave janë të lidhura me internetin dhe rrjetin e kriptomonedhave dhe kështu janë të prekshme ndaj hakerimit. Ato përdoren për të dërguar dhe marrë kriptovaluta dhe i lejojnë përdoruesit të shikojnë sa token kanë. Shumë ekspertë rekomandojnë lëvizjen e sasive të mëdha të kriptomonedhave që nuk nevojiten çdo ditë në kuletat “e ftohta”, të cilat janë të shkëputura nga interneti më i gjerë.

“Chainalysis” tha se ka të ngjarë që shumë nga sulmet e vitit të kaluar të jenë kryer nga i ashtuquajturi “Grupi Lazarus” që është një grup hakerimi i sanksionuar nga SHBA, i cili besohet se kontrollohet nga byroja kryesore e inteligjencës së Koresë së Veriut. “Grupi Lazarus” është akuzuar më parë për përfshirje në sulmet kibernetike, hakerimit të llogarive bankare dhe sulmeve kibernetike ndaj “Sony Pictures” në vitin 2014.

Koreja e Veriut pasi fitoi kujdestarinë e fondeve filloi një proçes të kujdesshëm të pastrimi të parave thuhet në raportin mbi sulmet kibernetike të vitit të kaluar. Një panel i Kombeve të Bashkuara që monitoron sanksionet ndaj Koresë së Veriut ka akuzuar Phenianin për përdorimin e fondeve të vjedhura për të mbështetur programet e tij bërthamore dhe raketore balistike si një mënyrë për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.

SHBA-ja në shkurtin e vitit të kaluar akuzoi tre programues kompjuterësh koreano-veriorë për një sulm kibernetik masiv që synonte të vidhte më shumë se 1.3 miliardë dollarë dhe kriptomonedha. Sulmet kibernetike prekën kompanitë nga bankat deri te studiot e filmit të Hollywood tha Departamenti i Drejtësisë. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!