Në Shqipëri autoritetet shëndetësore deklaruan sot se rastet e reja me Covid 19 po shënojnë nivelet më të larta që nga nisja e pandemisë. Megjithatë Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mbajnë në fuqi të njejtat masa shtrënguese. Qarkulllimi i variantit Omicron duket se po prek moshat e reja por dhe fëmijët. Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, që nga fillimi i vitit, deri sot pasdite, numri i rasteve të reja është 55 përqind më i lartë se totali i infektimeve gjatë gjithë muajit dhjetor
Numri i të prekurve nga koronavirusi po shënon çdo ditë rekorde të reja që nuk ishin rregjistruar më parë. Që nga 1 janari deri sot janë rregjistrar mbi 16 mijë raste, nga pak më shumë se 10 mijë të prekur përgjatë gjithë muajit të kaluar. Ndonëse dhe testimet janë rritur, kërcimi i shpejtë i pozitivitetit (raporti mes rasteve të reja dhe tamponëve të kryer) është dëshmi e një përhapjeje të gjerë të virusit. Mesatarja e pozitivitetit, nga fillimi i muajit është 22.3 përqind, nga 11.6 përqind që ishte në dhjetor. Madje gjatë ditëve të fundit është luhatur në nivelet e 27.28 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini “kjo rritje i atribuohet qarkullimit të të dy varianteve, atij Delta dhe Omicron në vend. Por njëkohësisht i atribuohet dhe grumbullimeve për festat e fundvitit, dhe përkatësisht reflektim në pozitivitet dhe në këto javë, kur survejanca epidemiologjik dhe ajo e integruar laboratorike ka treguar një rritje të rasteve pozitive”.
Natën e ndërrimit të viteve ishin vetë autoritetet që lejuan grumbullimet në bare e restorante pa kufizim orari, ndërsa masat në fuqi neglizhohen haptazi. Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi dhe sot t’i lerë ato të pandryshuara, pavarësisht përkeqësimit të shpejtë të situatës, dhe parashikimeve që kjo ecuri të vijojë dhe në javët e ardhshme.
Ndryshe nga më parë, është vënë re se virusi po prek ndjeshëm dhe fëmijët. “Që nga fillimi I pandemisë, kemi ndoshta numrin më të madh të fëmijëve që rezultojnë pozitiv për infeksionin Sars-Cov2. Reflektimi i kësaj situate në kustet e hospitalizimit, është i pakët. Do të thotë që numri fëmijëve të hospitalizuar është pak a shumë i njejtë 10-12. Aktualisht kemi 10 të shtruar me komplikacione të pakta. Fatmirësisht nuk kemi asnjë rast fataliteti”, deklaroi Gjerogjina Kuli, e cila drejton Shërbimin e pediatrisë infektive.
Në spitale, ku rritja e fortë e rasteve nuk është përkthyer në një ngarkesë të shtuar, “ajo që duhet vlerësuar dhe duhet përmendur është që ka moha të reja të shtrara në spital dhe të gjithë të pavaksinuar”, deklaroi Najda Çomo e cila drejton spitalet Covid, duke theksuar se “të rinjtë e shtruar janë ata që nuk kanë sëmundje kronike”
Autoritetet po përsërisin me forcë thirrjet për vaksinim. Pas një rënie të fortë në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, ky proces shënoi një përmirësim gjatë muajit dhjetor, mesa duket për shkak të alarmit të shkaktuar nga shfaqja e variantit Omicron si dhe vendimit për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit për punonjësit e administratës dhe ata të supermarketeve dhe qendrave tregtare. Edhe në javën e fundit, është vënë re një rritje e numrit të qytetarëve që kanë marrë dozën e parë ose të dytë.
Deri më tani, 52.7 përqind e qytetarëve mbi 16 vjeç kanë marrë të paktën 1 dozë, ndërsa krahasuar me totalin e popullsisë, rezulton që gati 43 përqind të ketë marrë të paktën një dozë, dhe 38 përqind të dy dozat./VOA