Rama në nënstacionin elektrik në Zejmen: S’ ishte vënë dorë që prej 1971

schedule13:24 - 13 Shkurt, 2019

schedule 13:24 - 13 Shkurt, 2019

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin në Zejmen në Lezhë, ku ka përfunduar investimi në linjën e transmetimit të energjisë për një zonë kritike, ku s’ishte vënë dorë qysh prej vitit 1971.

Mungesa e energjisë elektrike në Lezhë është e zakonshme për banorët e këtij qarku. Shkak është rrjeti tejet i amortizuar. Zgjidhja banorëve të këtij qarku ju ofrohet në prag zgjedhjesh.

Kështu ndodhi në shkurt të vitit 2017 kur qeveria bëri publike investimin prej 1, 9 milionë dollarësh për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik. Në pranverën e po atij viti u premtua se do të niste investimi një milion euro për të rritur sigurinë e linjave në Zejmen, ku rrjeti është i amortizuar në masën 70 %.

Në këtë zonë  në shkurtin e dy viteve më pas, afro 4 muaj para zgjedhjeve vendore kryeministri Edi Rama njofton përfundimin e këtij investimi në linjën e transmetimit të energjisë për një zonë kritike, ku s’ishte vënë dorë qysh prej vitit 1971- njofton ai vetë.

Balluku: “Faza e parë e investimit që OSHEE ka ndërmarrë në zonën e Zejmenit ku preken 12 000 banorë në 6 fshatra ka rritur shifrën 85 milionë”.

Rama: “Jo vetëm këtu, por në shumë zona, investimet e fundit janë bërë në fazën e elektrifikimit dhe faktikisht sistemi është sistemi i kohës së elektrifikimit, prandaj edhe një erë të fryjë, borë po e po, këputen linjat dhe duhet filluar nga e para”.

Me përfundimin e fazës së parë pritet të nisë faza e dytë për këtë zonë, e cila parashikohet të ketë një vlerë investimi rreth 60 milionë lekë të reja.

Balluku: “Faza dytë brenda muajit mars, sepse planifikojmë që të gjitha rikonstruksionet të mbarohen para fillimit të sezonit të verës”.

Impakti i këtyre investimeve prek direkt edhe turizmin, duke qenë se plazhet e Shëngjinit dhe të Tales frekuentohen nga pushues vendas e të huaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!