Njëri i akuzuar për vrasje e tjetri për grup të strukturuar kriminal, ekstradohen nga Gjermania 2 shqiptarë

schedule09:13 - 12 Janar, 2022

schedule 09:13 - 12 Janar, 2022

Specialistët e Interpol Tiranës kanë bërë ditën e sotme ekstradimin nga Gjermania të dy shqiptarëve. Bëhet e ditur se nga Gjermania u ekstradua Florind Shabani, 40 vjeç.

Shabani është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani pasi gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në shtator të vitit 2021, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Më 22 korrik të vitit 2009, 40-vjeçari dyshohet se ka vrarë me armë zjarri në lagjen “Vullnetari” Elbasan një qytetar me iniciale R. R.

Po nga Interpol Tirana është ekstraduar nga Gjermania drejt vendit tonë, Shpetim Kiri. 63-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, në rolin e transportuesit, që u godit në kuadër të operacionit policor “GARANTUESIT”, zhvilluar në vitin 2018, në DVP Shkodër, ku pas dokumentimit me prova ligjore u arrestuan 9 qytetarë dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Kiri është dënuar nga gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në korrik të vitit 2020 me 4 vite, 2 muaj e 14 ditë burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit më shumë se një herë e kyer në kuadër të grupit të strukturuar” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. /abcnews.al/