Qeveria spanjolle po përgatit zhvarrimin e eshtrave të Francisko Frankos, njeriu që qeverisi me grusht të hekurt Spanjën për më shumë se 30 vjet. Ndërkohë familja e diktatorit ka reaguar duke akuzuar kryeministrin Sançez se po bën gjithçka për qëllime politike.
Qeveria socialiste e Spanjës synon të miratojë të premten e ardhshme një dekret për heqjen e eshtrave të diktatorit Francisko Franko nga mauzoleumi i madh jashtë Madridit. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 vjet nga vdekja e tij, epoka e Frankos mbetet një çështje shumë e ndjeshme në Spanjë.
Plani për lëvizjen e eshtrave të tij, që është shtyrë disa herë në muajt e fundit, ka përçarë shoqërinë iberike dhe partitë politike. Ndërsa familja e diktatorit kundërshton zhvarrimin. Sapo urdhëri për zhvendosjen të aprovohet, qeveria e kryeministrit Pedro Sançez do t’i japë familjes Franko 15 ditë për të zgjedhur një vend për rivarrimin e tij.
Gjatë regjimit të Frankos, në vitet 1939-1975, dhjetëra mijëra kundërshtarë të tij u vranë dhe u burgosën në kuadër të një fushate për të shfarrosur disidentët. Zhvarrosja e eshtrave të Frankos përpara përfundimit të mandatit kishte qenë një nga premtimet kryesore të Sançez, bashkë me një sërë masash të tjera për të tërhequr votuesit e krahut të majtë.
Plani për të aprovuar dekretin vjen mes spekulimeve se Sançez mund të organizojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nëse qeveria e tij, që kontrollon më pak se çerekun e Parlamentit, dështon të bindë ligjvënësit të mbështesin buxhetin e tij në seancën e së mërkurës./abcnews.al

