Deri në fund të javës pritet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të kenë në duar platformën për dialogun me Serbinë, të cilën pritet ta votojnë. Delegacioni shtetëror i Kosovës gjatë ditës ka zhvilluar dy takime të ndryshme për harmonizimin e kësaj platforme.
Më shumë se dy orë ka zgjatur takimi i pasdites i delegaconit shtetëror për dialogun me Serbinë, të cilët janë duke punuar në hartimin e platformës për dialog. Platforma pritet të finalizohet brenda dy ditësh ndërsa deri në fund të javës pritet të jetë e gatshme për t’u proceduar në Kuvend për votim.
Platforma do t’iu dorëzohet të gjithë krerëve të shtetit dhe krerëve të partive opozitare për shqyrtim. Paradite delegacioni shtetëror për dialog ka takuar krerët e shtetit në zyrën e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Në takim, Limaj ka thënë të jetë diskutuar vetëm çështja e platformës, por jo edhe taksa.
Serbia e ka stopuar dialogun me Kosovën duke kërkuar fillimisht heqjen e taksës. Ndërkohë edhe marrëdhëniet ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë tensionuar pikërisht për shkak të taksës së vënë nga qeveria ndaj produkteve serbe. Pikërisht për këtë arsye edhe një gjeneral amerikan ka anuluar vizitën në Kosovë./abcnews.al