Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së dy autobusëve në pjesën jugore të gadishullit Sinai të Egjiptit, sipas zyrtarëve të sigurisë.
Mjegulla dhe shpejtësia mbi normat ishin përgjegjëse për aksidentin, i cili ndodhi pranë El-Thor, kryeqyteti i provincës së Sinait jugor, 400 kilometra në juglindje të Kajros. Autobusi ishte nisur nga Kajro për në Sharm el-Sheikh, kur u përplas me një mikrobus.
Egjipti është i njohur për aksidente të tilla, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së rrugëve dhe respektimit të kodit të qarkullimit rrugor. Sipas shifrave zyrtare, 7,000 njerëz kanë humbur jetën në aksidente rrugore gjatë vitit 2020 në vend.
/abcnews.al