Babai i minores lutet me lot në sy: Mos më plagosni për së dyti

schedule19:15 - 8 Shkurt, 2019

schedule 19:15 - 8 Shkurt, 2019

Ministrja dhe deputetja Elisa Spiropali vizitoi këtë të premte familjarët e vajzës së mitur në Kavajë. Në një video të publikuar nga Kryeministri Edi Rama në Facebook, prindërit e 14-vjeçares flasin për herë të parë për ngjarjen e rëndë që tronditi jo vetëm Kavajën, por mbarë opinionin publik shqiptar. Duke falenderuar të gjithë ata që i kanë ndihmuar dhe i janë gjendur pranë vajzës së tyre, babai i 14-vjeçares uron që ajo që i ndodhi familjes së tij, të mos i ndodhë askujt.

“Kjo që më ndodhi mua i uroj të gjithë shqiptarëve që të mos i ndodhë asnjërit, por të jetë një mësim jashtëzakonisht i veçantë për të gjithë prindërit e Republikës së Shqipërisë, t’i këshillojnë fëmijët, si djemtë apo edhe vajzat. Falenderim të veçantë, i jam shumë mirënjohës Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, sepse më kanë mbështetur në takimet me psikologët, vajza ka marrë kontakte me psikologët, po kështu edhe me ndihmën e madhe të Ministres së Shëndetësisë. Si vajza ime, edhe si shumë të tjerë, i uroj mbarësi në jetë, sepse kam një vajzë inteligjente, me nota shumë të mira. Kam një vajzë që ka një kurajë, që nuk mund ta përshkruaj edhe unë si prind”.

Mes lotëve, babai i vajzës kërkon që media të mos abuzojë me historinë e saj.

“Nëse do më lejoni, i bëj thirrje mediave, në qoftë se jam plagosur njëherë, ju lutem mos më plagosni për së dyti. Unë kam mbyllur çdo ekran televizori, çdo ekran Facebook-u, prandaj ju lutem me shpirt të gjithë mediave, keni fëmijë vetë. Mos ju raftë ky rast kurrë asnjërit, por do t’ju lutem, mbylleni njëherë e përgjithmonë këtë problem. Më lejoni ta përballoj me forcat e mia dhe me njerëzit e mi, që më kanë mbështetur dhe do të më mbështesin deri në fund. Mos e paçi këtë risk kurrë, kjo që më ndodhi mua të jetë e para dhe e fundit në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana e saj, Ministrja Elisa Spiropali vlerësoi kurajën e fisnikërinë e treguar nga prindërit e vajzës.

“Kjo që the është shumë prekëse, një baba që i qëndron vajzës së tij deri në fund është mesazh për të gjithë prindërit. Është edhe për ato mesazhe që jepen shpesh nëpër ekrane, që në vend që të jenë edukuese, janë rrënuese dhe jua them me shpirt që këtu në këtë shtëpi dhe me fisnikërinë që ju tregoni, jeni shembull për të gjithë, sepse shoqëritë e qytetëruara dallohen nga mënyra sesi përballen me sfidat. Si përballen me raste të tilla, si e trajtojnë dinjitetin e njeriut, si i trajtojnë të miturit dhe ju po e trajtoni me fisnikërinë maksimale. Ky është mesazhi më i fortë që mund të jepni”, tha Spiropali.

Në emër të Kryeministrit, Spiropali i premtoi familjes së të miturës se qeveria do ta ndihmojë atë duke i siguruar çdo gjë për një shkollim sa më të mirë.

“Ne duam ta ndihmojmë deri në fund dhe e kam porosi këtë nga kryeministri, që nëse vajza do të dojë të ndjekë shkollë këtu, në kolegj, apo do të shkojë jashtë, kudo që të jetë, ne do ta ndjekim për t’i siguruar bursë edhe mbështetje, që ajo të zhvillojë të gjithë potencialin e saj, e pandikuar nga kjo ngjarje. Dhe jam e sigurt që do të shkëlqejë. Është me shumë kurajë, është vajzë e shkëlqyer me nota, që ndjek gjuhë të huaja, që lexon dhe ne duam që të investojmë në shkollimin e saj”./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!