I shpallur në kërkim për vrasjen e Arben Zylyftarit, arrestohet në Gjermani Genc Tafili

schedule12:23 - 4 Janar, 2022

schedule 12:23 - 4 Janar, 2022

Genc Tafili, i shpallur në kërkim për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari në Shkodër në vitin 2000, është arrestuar nga policia gjermane. Burime bëjnë me dije për ABC se ai është ndaluar në aeroportin e Frankfurtit, nga ku do të udhëtonte për në Stamboll. Policia njofton se tashmë ai do të ekstradohet drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh.

“Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, kapet një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar për vrasje. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, Gjermani, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në Gjermani, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Genc Tafilaj, 43 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin në burg të këtij shtetasi, për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh, për vrasje. Shtetasi Genc Tafilaj është dënuar nga Gjykata e Lartë, në vitin 2002, me 25 vjet burgim dhe pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit, Gjykata e Rrethit Krujë, në vitin 2017, ka vendosur ta lirojë me kusht.

Më datë 02.08.2000, në Shkodër, shtetasi Genc Tafilaj, në bashkëpunim me babain e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari. Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri, për të kryer pjesën e mbetur të dënimit’, njofton policia.

Lirimi i Genc Tafilit

Tafili u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha në 7 nëntor të vitit 2017, pas 17 vitesh pas hekurave për vrasjen e Zylyftarit. Ai la qelinë kur i kishin mbetur edhe tetë vite pa kryer nga dënimi.  Pas lirimit ai u largua nga Shqipëria.

Por, në maj të 2021, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e gjyqtares Enkelejda Hoxhës duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Kjo e fundit tashmë ndodhet pas hekurave me urdhër të SPAK, me akuzën e përfshirjes në korrupsion për lirimin e të dënuarve pa përmbushur dënimin.

Si u vra Arben Zylyftari

Arben Zylyftari u vra më 2 gusht të vitit 2000 , kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit. Ky i fundit, peshkatar në zonë, ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e Skënder Gecit.

Gjatë operacionit të organizuar nga policia e Shkodrës pati shkëmbim zjarri mes palëve. Për pasojë, mbeti i vrarë drejtori i Policisë Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Po atë ditë kur u vra Arben Zylyftari, policia arrestoi Genc Tafilin, duke e akuzuar atë për vrasje në bashkëpunim.  m.v/Abcnews.al