Bashën apo Berishën? Shehi: Të ikin të dy, do vendosim kur të vijnë zgjedhjet

schedule20:04 - 29 Dhjetor, 2021

schedule 20:04 - 29 Dhjetor, 2021

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi deklaroi se Lulzim Basha dhe Sali Berisha e kanë mbaruar ciklin e tyre në politikë. I ftuar në Radarin Informativ përballë gazetares Juli Xhokaxhi, Shehi theksoi se ata po mbrojnë interesat e tyre. Sipas Shehit, nëse vetë do e donin Partinë Demokratike, Basha dhe Berisha do duhet të ishin larguar për t’i hapur rrugën të rinjve.

“Unë i gjykoj që nuk mund të japin më kontribut. Janë gjëra të provuara dhe të stërprovuara. Ndjekës ka, do ketë çdo herë. Ne raportin e kemi me qytetarin shqiptar që duhet të  votojë për rrëzimin e Edi Ramës. Unë gjykoj që këto personazhe e kanë bërë ciklin e vet. Këta po mbrojnë territorin e vet, asgjë më tepër. Debati në PD është një gjë e mirë. Por tani të vetëgënjehemi se kjo është zgjidhja, kjo nuk është e sinqertë.

Këta po mbrojnë interesat e veta. Në Shqipërinë e vitit 2022 nuk mund t’i kërkosh rinisë ose duhet të jesh me menshevikët ose me bolshevikët. Për mua kjo nuk është rruga për të rrëzuar Edi Ramën. Po ta donin kaq shumë PD le të bënin një sakrificë të vogël dhe t’i hapin rrugë të rinjve. Po ma gjetët një tezë politike nga ato që po thonë këta zotërinjtë. Konservatorizmi nuk e di ku konsiston”, tha Shehi.

Ai nënvizoi se me pjesën tjetër të aleatëve nuk janë ulur në tryezë që prej zgjedhjeve të 25 Prillit. Shehi shtoi se formula e aleatëve duhet të bjerë për sa kohë nuk ka rezuluar produktive dhe duhet menduar një tjetër formë alternimi.

“Tezë politike është pse ikëm nga parlamenti. Pse ikëm nga zgjedhjet lokale. Pse pranuam një marrëveshje të heshtur që bëri natën Rama dhe Basha. Pse bëmë aleancë me LSI dhe nuk qemë të zotë të bëjmë një listë të përbashkët. Tani po na dalin jo të korruptuar, jo dreq e shejtan. Ne nuk jemi takuar që kur kanë mbaruar zgjedhjet. Ne nuk biem dakord me ato që janë thënë gjatë kësaj periudhe. Ne jemi aleatë.

Por kjo formulë aleance duhet të bjerë pasi nuk është e suksesshme. Të mendojmë pak që opozita shqiptare është përtej PD. Opozita janë me mijëra njerëz që nuk i pëlqen kjo qeverisje. Duhet me gjet një formulë tjetër që aleatët të luajnë një rol. Kjo nuk do të thotë që do bëhemi armiq me PD. Ne i shikojmë këtë lidership që është sot si të pazot për t’u përplas me Ramën. Kryetar ka qenë Basha, por rol ka luajtur Berisha. Por është më shumë e vërtetë se Bashën e ka vënë Berisha. Unë them se këta njerëz kanë vlera dhe kanë një histori të veten politike. Pretendimi që partinë e kanë këta dhe nuk gabojnë, nuk bën më rol politik”, tha Shehi.

Kreu i LZHK deklaroi se nuk do të bëjnë një zgjedhje mes Bashës dhe Berishës por do të bashkëpunojnë me atë që përafrohet me idetë e tyre.

“Ne aleatë jemi me të gjithë ata që janë kundër qeverisë. Ata mos të rrinë më bashkë. Ne nuk po shkojmë me bërë krushqi. Në politikë duhet të përcaktohen sa gjëra na bashkojnë dhe sa gjëra na ndajnë. Nuk ka ndonjë libër që e përcakton këtë punë. Kur të vijnë zgjedhjet do gjykojmë kush është më afër ideve tona.

Këta po bëjnë një gabim të madh duke bërë një luftë të tillë pa princip. Po mendove që do asgjësosh tjetrin, ti asgjëson një pjesë të asaj që është e jotja. Unë gjykoj që për t’u bashkuar, duhet bërë një hark i madh që nga partitë konservatore me një parti të madhe që uroj të qëndrojë e tillë, siç është PD. Nuk mund të shkojnë më kështu, duke grabitur Shqipërinë një grup nëpunësish. Por për herë të parë brenda opozitës shqiptare po debatohet. Njerëzit kanë marrë kurajon për të thënë se kush është gabim. Kjo është normale dhe kjo është edhe pozitive për opozitën që ky lloj debati po sjell një ndryshim”, tha Shehi. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!