Pronarët e restoranteve të paqartë për festën e Vitit të Ri

schedule15:41 - 28 Dhjetor, 2021

schedule 15:41 - 28 Dhjetor, 2021

Nga Erblina Mile

Biznesi i Bar-Restoranteve dhe hotelet e vlerësojnë të vonuar dhe të paqartë vendimin e komitetit teknik për heqjen e orës policore gjatë natës së ndërrimit të viteve. Zak Topuzi, përfaqësues i hotelerisë në Shoqatën e Turizmit thekson se shumë subjekte nuk  arritën që të organizonin darkat pasi vendimi erdhi me vonesë. Por, pavarësisht kësaj vlerësojnë heqjen e kufizimit për këtë sektor.

“Ka qenë një urdhër që erdhi pak me vonesë, pati interferim interpretimesh. Urdhri ishte pak i paqartë. Një pjesë e hoteleve të mëdha i kanë anuluar për arsye të pamundësisë së organizimit”, thotë ai.

Por a do të festojnë shqiptarët jashtë shtëpisë  në 31 dhjetor? Topuzi shprehet se ka pasur shumë kërkesa duke iu afruar trendit të periudhës para pandemisë edhe pse prenotimet rezultojnë 15 % më të ulëta.

Sektori i bar-restoranteve dhe hoteleria kanë qenë sektorët më  të dëmtuar nga pandemia për shkak të kufizimeve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!