Vrasja e ish-policit, provat që mund të zbulojnë ekzekutorët

schedule15:12 - 5 Shkurt, 2019

schedule 15:12 - 5 Shkurt, 2019

Grupi hetimor i vrasjes së ish-policit Arben Bilali në Tiranë ka në dorë disa elemente të rëndësishëm që mund të çojnë tek autorët e atentatit. Bëhet fjalë për një armë dhe disa sende të gjetura në një makinë që dyshohet se u braktis nga autorët pas krimit.

Arma e krimit, një maskë dhe dorezat që u gjendën në një automjet në periferi të kryeqytetit, që dyshohet se u përdorën për ekzekutimin e ish-policit Arben Bilali, u dërguan në Laboratorin e Policisë Shkencore ku po i nënshtrohen një ekzaminimi të detajuar.

Këto prova sipas grupit hetimor janë thelbësore, pasi nga pamjet e kamerave të sigurisë nuk është bërë e mundur identifikimi i personave që ndodheshin në automjetin, “Mercedes-Benz tip CLS”. Mjeti gjithashtu i është nënshtruar një procesi të thellë për të gjetur faktorë plotësues si gjurmë të gishtave në dyer apo xhama, fije floku apo edhe mbetje të tjera që mund të çojnë në identifikimin e ekzektutorëve.

Provat e reja të gjetura jo shumë larg zonës së Selitës, kanë sjellë një tjetër kthesë për hetimin. Policia kriminale është në pritje të përgjigjeve që do të sjellë Laboratori i Policisë Shkencore për të parë se kujt i përkasin profilet gjenetike të zbuluara në automjetin me targa të vjedhura e më pas të bëhet e mundur ndalimi personave të dyshuar.

Hetuesit dyshojnë se autorët kanë vepruar në nxitim e sipër kur janë larguar nga vendngjarja. Në përfundim të Unazës së Madhe, në afërsi të Saukut, afër në një rrugë dytësore ku nuk ka shumë lëvizje, ata kishin braktisur makinën sportive. Dyshohet se ata janë sinjalizuar për prani të policisë në zonë, ndaj për të mos humbur kohë, ekzekutorët nuk kanë pasur mundësi të fshehin provat apo t’i dërgojnë diku tjetër. Pista kryesore ku janë fokusuar hetimet për vrasjen e Arben Bilalt mbetet ajo e hakmarrjes./abcnews.al