Teleskopi më i madh hapësinor i krijuar ndonjëherë pritet të lëshohet në hapësirë në minutat e ardhshme, ku nëse gjithçka shkon sipas planit, instrumenti me peshë 6350 kg pas një udhëtimi 26 minutash do të lëshohet nga raketa në hapësirë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se teleskopit do t’i duhet një muaj për të arritur në destinacion, në orbitën diellore rreth një milion milje nga Toka, që është rreth katër herë më larg se prej Hënës.
Ky teleskop, i quajtur sipas njeriut që mbikëqyri NASA-n gjatë viteve 1960, James Webb është rreth njëqind herë më i ndjeshëm se Hubble dhe pritet të ndryshojë thellësisht kuptimin e universit dhe vendin e njeriut në të.
Projekti kap vlerën e 11 miliardë dollarëve. Pa dyshim, pakkush besonte në parashikime të tilla që në fillim. Shkencëtarët dhe inxhinierët filluan të punojnë për idenë e këtij teleskopi një vit para lëshimit të paraardhësit të tij, Hubble në vitin 1989.
Diametri i pasqyrës së tij, e cila përbëhet nga 18 pjesë gjashtëkëndore të veshura me ar, është 6.5 metra, ndërsa diametri i Hubble është 2 metra. Pasqyra e madhe është e palosur si origami për t’u futur në anijen kozmike. Strehimi i Webbit nga rrezet e diellit ka një sipërfaqe fushë tenisi. Ai është i pajisur me një sërë instrumentesh të sofistikuara, duke përfshirë një pajisje ftohëse që do të ulë temperaturën e detektorit të dritës infra të kuqe (MIRI) në vetëm 7 Kelvin, ose 7 gradë Celsius mbi zero absolute.
Fakti që do të jetë në një distancë kaq të madhe nga Toka do ta bëjë të pamundur dërgimin e një misioni në të që ndoshta do të rregullonte ndonjë mosfunksionim të mundshëm, siç u bë në rastin e Hubble.
Gjegjësisht, ekspertët vunë re devijime në pasqyrën Hubble që e bënë të pamundur krijimin e imazheve të mprehta. Astronautët e riparuan në vitin 1993. Por ai u konceptua gjithashtu si teleskopi i parë që mund të riparohej dhe servisohej për të kryer misionin sa më gjatë që të ishte e mundur./abcnews.al