“Më pak se 1500 euro s’ka”, zbardhen përgjimet e grupit që trafikonte klandestinë

schedule16:48 - 4 Shkurt, 2019

schedule 16:48 - 4 Shkurt, 2019

ABC News disponon përgjime të bisedave mes anëtarëve të grupit kriminal të trafikut të njerëzve, të goditur dy ditë më parë nga policia dhe Prokuroria për Krime të Rënda. Organi i akuzës i ka si provë këto përgjime në dosjen për këtë grup kriminal.

Përgjimet telefonike janë një nga kartat më të forta të Prokurorisë për Krimet e Rënda në hetimin e bërë ndaj 36 të dyshuave për trafikimin e personave drejt SHBA-së dhe vendeve të BE me dokumente të falsifikuara.

ABC News ka siguruar një kopje të dosjes së prokurorisë, ku dalin në dritë bisedat telefonike ku flitet për paratë që duhet të paguhen për dokumentet false, për dorëzimin e dokumenteve tek kërkuesit, si edhe për koordiminin e rrugëtimeve të paligjshme. E tillë është ajo e 20 Tetorit 2018 mes të dyshuarës Moza Kamaj dhe një personi tjetër.

B: Ça bën?

A: Hiç tek Lili jam.

B: Kam një person për në Itali, sa lekë bën.

A: 600 euro.

B: Ka më pak se ia dhashë atij tjetrit.

A: Do 600 euro taksia.

B: Tani i çon Lavdoshi.

A: Më pak se 1500 euro s’ka.

Pak minuta më vonë mes të njëjtëve zhvillohet biseda:

B: Mirë ok, 1500 euro.

A: Dakord.

B: Po do presim 10 ditë sa të dali pasaporta.

A: Ok.

Në një bisedë të 26 Shtatorit 2018, i dyshuari Simon Kerri, kryetar i shoqatës së Vllehëve flet me një person në lidhje me dërgimin e disa bullgarëve drejt Britanisë.

..279: E mirë, po, o ta bëj ose ka mënyra për të ikur dhe andej, o të bëhet këto ditë shpejt. Kam njerëz që kanë ikur si puna e Bertit dhe… kam gjetur njëri që çon andej unë dhe iki.

Keri: Ku që çon n’Angli, andeja?

…279: E.

Keri: Po m’thoj mua se kam una nja katër a pes veta bullgarë.

…279: Po mirë t’bëjnë lekët gati ata e ti çoj.

Keri: Po mir, n’rregull, m’thoj mua ti sa lek duan ata edhe…

…279: Për ata dymbëdhjet.

Keri: ë?

…279: Po ja, të flasim, të them unë.

Sipas prokurorisë, anëtarët e këtij grupimi kriminal merrin nga personat e trafikuar vlera monetare që shkonin deri në 20 mijë euro. Ata prisnin shtetas të huaj kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Kina dhe më pas i trafikonin drejt vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Kanadasë.

Në role të ndryshme, të koordinuar edhe me persona jashtë vendit, ata kanë siguruar dokumente false, kanë shoqëruar, akomoduar apo rezervuar linjat e udhëtimit për të trafikuarit. Në Shqipëri aktiviteti i këtij grupi është shtrirë në Tiranë, Krujë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, Përmet, Fier dhe Elbasan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!