Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda duke vendosur masën e sigurimit personal pasuror dhe sekuestros preventive për pasuritë e paluajtshme të shtetasit nën hetim Admir Hoxha.
Pasuritë janë:
-Bar – Restorant -Hotel “ Resort Ador” sipërfaqe 3320 m2, me katër kate bar restorant, parking dhe hotel , në Rinas Tiranë, si dhe bllokimin e aseteve.
-Automjeti tip Audi me targe AA111MP .
Kërkesën e parashtruan prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi mbështetur në bazën e neneve 274, 275, 276, të Kodit Penal dhe nenit 36 të Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal të vitit 2016, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 i K.Penal, procedim penal i regjistruar mbi bazën e akteve të referuar nga Komisariati i Policisë Kavajë.
Nga aktet e administruara rezulton se Prokuroria Kavajë me datë 14.11.2016 ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i K.Penal.
Nga aktet e referuara nga Shërbimi i Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë rezultuar të dhëna për një grup personash të paidentifikuar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohej se trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, si dhe trafikonin lëndë narkotike të llojit heroinë nga vendet e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Në këto rrethana, nga Prokuroria për Krime të Rënda ka pranuar aktet dhe regjistroi procedimit penal 2016 për veprën penale parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
Gjatë hetimit nga organi procedues është urdhëruar regjistrimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Hetimet treguan se një grup personash, banorë në qytetet të ndryshme të vendit, vepronin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve, si dhe dispononin pasuri të paluajtshme, të cilat dyshohet se janë produkt i veprave penale.
Gjatë hetimit po ashtu ka rezultuar se pjesëtar të këtij grupi kriminal kryenin edhe vepra penale të tjera, si korrupsioni në sektorë të publik të ndryshëm, si hipotekë, polici, bashki dhe në institucione të tjera të administratës shtetërore.
Pasuritë e shtetasit Admir Hoxha dyshohet se janë vendosur nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal dhe bazuar në nenet 274, 275, 276, të Kodit Penal dhe neni 36 të Kodit të Procedurës Penale.nenin 11 të ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.