Dhuna dhe financat mund të prishin Superligën

schedule17:55 - 4 Shkurt, 2019

schedule 17:55 - 4 Shkurt, 2019

Superliga shqiptare është në rrezik të shkatërrohet nga dy probleme kryesore. Ish-futbollisti i njohur i Tiranës, Saimir Patushi, analizon dhunën e pretenduar nga Skënderbeu dhe krizën financiare.

Një kampionat që mund të prishet pa mbërritur fundi. Superliga shqiptare ka dy rreziqe kryesore, dhunën jashtë e në stadiume, si dhe krizën financiare, dhe ish-lojtari i Tiranës, Saimir Patushi, mendon se gjendja është e vështirë që të ndreqet. Patushi, disa herë kampion i Shqipërisë, komenton atë që mund të ketë ndodhur me Skënderbeun në Fushë Krujë.

“Mund të jetë e sajuar edhe mund të jetë e rastisur. Mund të na shajnë, mund të na ofendojnë edhe mund të na godasin. Ai stadium është i hapur nuk mund të na mbrojnë. Nuk mund të kthehemi kohët mbrapa, kur dilte një polic, dilte një shef komisariat, dilte një shef, dilte një deputet”, tha Patushi.

Ai e quan të parakohshme daljen e Policisë së Shtetit nga stadiumet, dhe lënien e sigurisë në dorë të rojeve private.

“Është e parakohshme. Është e pamundur që policia private sidomos te qytetet e vogla janë kushërinj, staf drejtues, futbollistë polic private dhe mbrohen nga policia e Shtetit. Mendoj që gjërat janë të nxituara”, tha ai.

Kriza financiare është në rend të ditës. Pas revoltave tek Flamurtari, ja edhe lojtarët e Kamzës që refuzuan të dilnin në fushë.

“Të braktisësh para ndeshjes është domethënie e madhe. Mund të themi që ka ardhur atje ku nuk mban më. Ky është i gjithë sezoi, Flamurtari, Kruja Skënderbeu. Kjo është një gangrenë. Është keqmenaxhimi. Është shumë herët që të kesh kështu masivitet bojkoti. Edhe kur e imagjinon që ke edhe tre muaj kampionat dmth që do prishet shumë shpejt gara e futbollit”, tha Patushi.

Përtej problemeve, le të shikojmë edhe anën sportive.

Si e sheh Patushi garën për titull?

“Një hap para është Partizani për vetë kontigjentin. Kam parë që Kukësi ka bërë afrime cilësore. Është domethënie e mirë. Nëse gara nga ekipi i fundit, te i pari do të jetë serioze nuk do të ketë dallim të madh, do të shikohet në ndeshje direkte”, tha Patushi./abcnews.al