Një marrëveshje mes mazhorancës qeverisëse dhe social-demokratëve ka bërë që në Kosovë të miratohet buxheti për vitin 2019 dhe që në vend të shmanget bllokada qeveritare, e rrezikuar nga mungesa e numrave të Listës Serbe.
Parlamenti i Kosovës ka aprovuar buxhetin për vitin 2019, pasi një prej partive të opozitës pranoi të mbështeste qeverinë, duke bërë që të shmanget një bllokadë shtetërore. Buxheti kaloi me 65 vota pro nga 120 mandate.
Koalicioni qeverisës, që ka 53, negocioi mbështetjen e Partisë Social Demokrate në opozitë. Parlamenti aprovoi gjithashtu ligjin që parashikon rritjen e pagave për punonjësit e sektorit publik. Më herët gjatë javës, mësuesit i dhanë fund grevës pasi arritën një marrëveshje me qeverinë, që i hap rrugë kthimit në bankat e shkollës të gjysmë milion nxënësve dhe studentëve pas 3 javë pezullim.
Punonjësit e sektorit të shëndetësisë, energjisë, doganave dhe aeroportit kishin kërcënuar gjithashtu me grevë nëse ligji i ri për pagat nuk do të merrte parasysh kërkesat e tyre. Duke reaguar kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se, shpenzimet publike për këtë vit kanë kapur rekordin.
“Me 2.37 miliardë euro, ky është buxheti më i madh për zhvillimin e Kosovës, që do të kontribuojë për një rritje ekonomike prej 4.7 për qind”, deklaroi Haradinaj pas votimit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar më herët se rritja ekonomike për këtë vit në Kosovë do të jetë 4.2 për qind, pak më e lartë se ajo prej 4 për qind që ishte vitin e kaluar. Qeveria planifikon ndërkohë ta mbajë deficitin buxhetor në 2 për qind të GDP-së. Rreth 800 milionë euro të buxhetit do të përdoren për projekte në infrastrukturë, kryesisht për rrugët. Korrupsioni dhe mungesa e stabilitetit politik ka mbajtur investitorët e huaj larg vendit me më pak se 2 milionë banorë./abcnews.al