Brenda një viti, për herë të dytë një familje prej 4 personash, dy bashkëshortët dhe dy fëmijët e rritur, janë riinfektuar me koronavirus.
Ndryshe nga hera e parë, në shkurt të vitit 2021, kësaj herë të katër anëtarët e familjes shfaqen gjendje më të rënduar shëndetësore.
Mjekja e familjes që po ndjek rastin u shpreh se në raport me të tjerët, nëna është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet me oksigjen në shtëpi.
“Familjarët thonë se herën e parë nuk patën probleme me frymëmarrjen. U mjekuan me antibiotikë por nuk desaturuan. Kësaj here të gjithë kanë shfaqur simptoma më të rënda, sidomos më e moshuara që prej 10 ditësh është me oksigjen sepse parametrat I ka pasur mjaft shqetësuese”, tregon mjekja e familjes.
Eksperti i shëndetit publik Alban Ylli thotë se është plotësisht i mundur një infektim i dytë nga Covid-19 nga një variant i ri.
“Me gjasë rasti që po i referoheni është i prekur nga varianti Delta. Duhen hetuar të gjitha detajet. Sasia më madhe e virusit të marrë dhe gjendja më e keqe shëndetësore e organizmit të personit luajnë rol dhe mund të jenë shpjegimi i një sëmundje më të rëndë herën e dytë”, tha eksperti Alban Ylli.
Mjeku Ylli po ndjek peronalisht të njëjtën situatë në një familje ku 3 persona janë riinfektuar me koronavirus.
Sipas Yllit, ndërsa dy prindërit e moshuar e kaluan sëmundjen pa probleme, djali i tyre 46 vjeç por i pavaksinuar është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet me oksigjen.
Në janar, valë riinfektimesh nga Omicron
Eksperti i shëndetit publik i tha Gazetës “Si” se një valë e re riinfektimesh pritet në janar me variantin e ri Omicron.
Sipas tij, kjo do të ndodhë për shkak se është konstatuar se ky variant ka transmetim më të shpeshtë si dhe mbrojtja e organizmit tonë prej tij është e ulët.
“Vetëm 20% e personave që e kanë kaluar covid, po rezultojnë të mbrojtur nga një infeksion i ri prej Omicronit. Të dhënat paraprake duken të këqija”, paralajmëroi eksperti i shëndetit publik Alban Ylli.
Mjeku Ylli ka bërë apel për t’u vaksinuar pasi vaksina ashtu si dhe indeksimi i kaluar ndihmojnë për të ulur riskun për spital dhe për të vdekur.
“Në janar është e sigurt që do të kemi prezencë të Omicron në Shqipëri. Shpresojmë që vaksinimi të ulë numrin e vdekjeve. Duhet urgjent të vaksinohen sa më shumë dhe dozë e tretë sa më shpejt. Sigurisht dhe distancimi dhe mbajtja e maskës nuk duhen lënë pas dore”, tha mjeku Alban Ylli./ GazetaSi