Cakaj në Bukuresht: Procesi i zgjerimit, prioritet i Presidences rumune

schedule15:30 - 2 Shkurt, 2019

schedule 15:30 - 2 Shkurt, 2019

Në kuadër të pjesëmarrjes në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, i cili  zhvillohet në Bukuresht më 31 Janar – 1 Shkurt, ushtruesi i detyrës së ministrit të jashtëm Gent Cakaj zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe në Rumani, vend i cili mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, u mbajt në Bukuresht takimi dyditor i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate.

I pranishëm në këtë takim, ushtruesi i detyrës së ministrit të jashtëm të Shqipërisë Gent Cakaj.

“Shqipëria ka marrë një vlerësim për faktin që politika e saj e jashtme është në përputhshmëri të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian. Ky takim ofroi edhe një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e një vargu takimesh bilaterale me homologët e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, me c’rast patëm mundësinë të komunikojmë rezultatet kryesore të reformave të arritura në Shqipëri dhe natyrisht, domosdoshmërinë e hapjes së negociatave në qershorin e këtij viti. Procesi i zgjerimit vazhdon të mbetet një prej prioriteteve qendrore të presidencës rumune dhe përgjatë të gjitha takimeve që kemi pasur me homologët e Bashkimit Europian, kemi marrë një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për ecurinë e deritanishme të procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim”.

Cakaj zhvilloi disa takime të rëndësishme, mes të cilëve, atë me ministrin rumun të Shtetit për Çështjet Evropiane George Ciamba, me Kryetarin e Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme Cristian Dumitrescu dhe Zëvendës Presidentin e Dhomës së Deputetëve dhe Zëvendës Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Dhomës së Deputetëve Ben-Oni Ardelean./abcnews.al