Aksidentet, drejtuesja e “Bardh a Zi” tregon si u gjobit “gabimisht”, eksperti: Shkelësit të monitorohen

schedule22:39 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 22:39 - 15 Dhjetor, 2021

Aksidentet rrugore kanë qenë temë diskutimi mbrëmjen e sotme në emisionin “Bardh a Zi” në Abc.

Gazetari Arsen Rusta deklaroi se kur ndodhin aksidente gjobiten të gjitha palët e përfshira, shpesh sipas tij, pa të drejtë, duke cënuar njërën palë. Për të mbështetur këtë që tha Rusta, drejtuesja e emisioni Ornela Gaçe tregoi një rast që i ka ndodhur asaj personalisht.

“Të dy të përfshirët në aksident marrin gjithmonë gjobë. Këtu fillon, këtu është vjedhja, sepse ndodh padrejtësisht”, tha Rusta.

“Isha unë në rrugën time me makinë erdhi tjetri dhe më ra, mora gjobë unë, mori dhe ai që më ra. Shqetësimi më i madh që kanë shqiptarët sot është se si  ecet në rrugë, pse po flini gjumë ju  policia. I ke të gjithë shqiptarët me telefon te dora. Mirë që flasin por edhe shkruajnë mesazhe”, shtoi Gaçe.

Shefi i Sigurisë Rrugore Skënder Ismaili e ka kundërshtuar këtë pretendim të tyre. “Ne ndëshkojmë sipas kategorisë së shkeljes në aksident”, tha ai.

Eksperti i Sigurisë Rrugore, Fatmir Hasho ngriti një tjetër shqetësim. Ai tha se personat që ndëshkohen për një shkelje do ishte mirë që të monitorohen të paktën për 1 muaj.

“Nga 100 e bëra 1000, këto 1000 a mund të monitorohen nga policia pasi gjobiten? Se kemi me dhjetëra raste që dikujt i është hequr leja e drejtimit për alkool dhe del përsëri në rrugë, i është hequr leje e drejtimit për tejkalim të shpejtësisë dhe dalin përsëri në rrugë, ju lutem këto 1000 raste a mund të monitorohen për një periudhë minimalisht 1 mujore?”, tha Hasho.

“Këta që shkruajnë mesazhe këta që flasin në facetime me shokun shoqen të dashurin, kanë aq shumë para sa 20 mijë lekëshi thjeshtë i gudulis”, shtoi Rusta. be.k/abcnews.al